Shqipëria, ashtu si Evropa dhe bota, po e përqafon revolucionin digjital duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe biznesin. Në këtë kontekst, Qeveria Shqiptare ka marrë një angazhim të fortë për mbështetjen dhe promovimin e nismave digjitale si një mjet i fuqishëm që çon në qeverisje të modernizuar, rritje të njohurive për një shoqëri më të hapur dhe një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik për qytetarët e saj. Shqipëria ka përshtatur kuadrin ligjor për shoqërinë e informacionit në përputhje me Acquis Communautaire të BE-së, duke qenë vazhdimisht në kontakt me zhvillimet dinamike të Tregut Unik Digjital. Njohja e rolit që mund të luajë teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe transformimi digjital në avancimin e zhvillimit ekonomik dhe social si një prioritet kyç sjell vlerë të shtuar. Për këtë arsye, puna kërkimore mbi përfitimet dhe risqet në lidhje me shërbimet digjitale është e rëndësishme në këtë fazë të procesit të digjitalizimit të Shqipërisë.
Më 25 Korrik 2022, prezantimi i punimit dhe diskutimi i hapur rreth shërbimeve digjitale u mbajt në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Fondacioni Qemal Stafa. Aktivistët e rinj dhe profesionistët e fushës morën pjesë në debatin konstruktiv. I pranishëm në këtë diskutim ishte dhe Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë njëkohësisht dhe Sekretar Digjital i Partisë Socialiste, Z. Etjen Xhafaj.