Përfundon me sukses “Trajnimi i Trajnerëve 2023” i cili në bazohet në programin “Mbështetja e demokracisë në Balkanin Perëndimor – progresi dhe lidhja e urave të bashkëpunimit me një kurrikul të përshtatur që përfshin tre module intensive dhe interaktive, të dizajnuara si një kombinim i prezantimeve teorike dhe aftësive praktike për pjesëmarrësit. “Trajnimi i Trajnerëve 2023” ka si qëllim tё mbështesë individët tё cilët duan tё angazhohen si trajnerë dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në fushën e vendim-marrjes, komunikimit në publik dhe drejtimit si shtylla të rëndësishme drejt rrugës së suksesit. Temat e përfshira në këtë trajnim përfshijnë disiplinat e lidershipit, sesion mbi komunikimin, median, debatin konstruktiv dhe zhvillimin personal, module këto që do të vendosin në sfidë secilin nga pjesëmarrësit. Në të tre modulet u angazhuan katër trajnerë, dy prej të cilëve i përkasin grupit të alumnit të Trajnimit të Trajnerëve 2022, dhe një prej trajnerëve i përket grupit të alumnit të Trajnimit të Trajnerëve 2021.

Moduli i tretë u zhvillua në datat 7-8 Tetor në Durrës, Shqipëri. Në këtë modul të fundit, përgjatë sesioneve të para të ditës së parë, trajnerët diskutuan mbi përcaktimin dhe përgatitjen e koncept-idesë së trajnimit duke i lënë kohë njëkohësisht grupeve për përgatitjen e prezantimit të trajnimit që do të simulojnë. Pas përgatitjes serioze për prezantimet, pjesëmarrrësit patën mundësi të qetësohen dhe të angazhohen në aktvitetet sociale të organizuara përgjatë bregdetit të Durrësit.

Dita e dytë e modulit të tretë nisi me prezantimin e Grupit të Parë, të cilët kishin zgjedhur të flisnin për temën “Inteligjenca Emocionale”. Grupi i dytë foli për një temë teknike por shumë të rëndësishme si “Fuqizimi i të rinjve: Ndikimi dhe rëndësia e të rinjve në aktivizëm dhe vullnetarizëm”. Grupi i tretë mbylli prezantimet me temën “Angazhimi i të rinjve për qytetari aktive”. Në sesionin e fundit, trajnerët dhe pjesëmarrësit vlerësuan punën e grupeve duke paraqitur argumente dhe komente mbi përgatitjen e materialeve dhe prezantimin e secilit prej pjesëmarrësve gjatë simulimit. Në përfundim të modulit, Drejtori ekzekutiv i fondacionit. Z. Ledjon Shahini, Zj. Romina Kuko, anëtare e bordit drejtues të Fondacionit dhe trajnerët shpërndanë certifikatat e pjesëmarrjes.

Përgjatë këtyre tre moduleve intensive, pjesëmarrësit u njohën me bazat teorike dhe praktike të të qenurit një trajner. Me përfundimin e trajnimit individët do të nisin një angazhim afatgjatë me Fondacionin Qemal Stafa duke u bërë pjesë në aktivitete të ndryshme, si dhe duke u përfshirë si trajnerë për aktivitetet e ardhshme të fondacionit.

Share.