Fondacioni Qemal Stafa vijon pjesëmarrjen në Programin e Lidershipit Progresiv, i cili bazohet në programet e mëparshme të ngjashme të Friedrich Ebert Stiftung (FES), me kurrikula të përshtatura që përfshijnë dy workshop-e intensive dhe interaktive duke kombinuar prezantime teorike dhe aftësi praktike për përfaqësuesit e organizatave rinore të partive politike progresive dhe aktivistëve të shoqërisë civile nga tetë vendet e rajonit: Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Sllovenia dhe Kroacia. Programi i Lidershipit Progresiv 2022 u fokusua në temën “Bashkëpunimi Rajonal për Paqe dhe Siguria”.
Rreth 25 pjesëmarrësit, përfshirë pjesëmarrësit prej Fondacionit Qemal Stafa, patën mundësi të marrin pjesë në trajnime ku u trajtua kryesisht zhvillimi i negociatave bazuar në argumente, fuqi dhe shkëmbim. Gjithashtu pjesëmarrësit morën pjesë në lojëra simulimi negociatash (Neutraliteti Vs Sigurisë Kolektive) duke replikuar situata të mundshme të Rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë modul të dytë të programit nuk munguan as diskutimet për çështjet politike të lidhura me sigurinë në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Moduli i dytë i programit u zhvillua në Sarajevë, Bosnjë dhe Hercegovinë në datat 22-26 Shtator.