Diskutimi i hapur me temë “Rritja e Ndërveprimit ndërmjet Votuesve të Rinj me Përfaqësuesit e të Rinjve” u zhvillua në kuadër të programit “Progressive Politics in Western Balkans (PROGWeB)”, i cili bashkon në një akademi politike socialdemokratët dhe liberalët nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor (BP6). Pjesë e këtij programi është zbatimi i projekteve kombëtare nga secili prej vendeve të BP6.

Objektivi kryesor i këtij projekti kombëtar është të risë njohuritë e votuesve të rinj mbi profilet dhe punët e realizuara të përfaqësuesve të të rinjve në Këshillin Bashkiak, si dhe të nxisë krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet dy grupeve të interesit. Aktiviteti u organizua më datë 5 Tetor 2022 në ambientet e Bashkisë së Tiranës me pjesëmarrjen e votuesve të rinj dhe politikanëve të rinj që veprojnë në këtë Këshill Bashkiak.

Anëtarët e grupit që përfaqësojnë Shqipërinë në PROGWeB mbajtën një fjalim të hapur në fillim të aktivitetit, duke prezantuar idenë që qëndron pas Akademisë Rajonale, si dhe qëllimin e projektit kombëtar shqiptar, duke ftuar të rinjtë të aplikojnë për aktivitetet e radhës PROGWeB.

Të dy grupet e interesit u bashkuan dhe votuesit e rinj patën mundësinë të njihnin më mirë përfaqësuesit e tyre dhe nga ana tjetër politikanët e rinj patën mundësinë të kuptonin më afër nevojat e të rinjve. Politikanët e rinj që operojnë në këtë këshill bashkiak të Bashkisë së Tiranës prezantuan punën e tyre dhe të rinjtë ngritën pyetje mbi realizimin e punëve të lidhura me çështjet rinore për sa kohë që anëtarët e pranishëm të këshillit kanë mbajtur këtë post.

Gjatë diskutimit të hapur, nga të dyja palët u pohua se të rinjtë nuk ndihen mjaftueshëm të përfaqësuar në politikë dhe se të dyja palët duhet të bëjnë më shumë për të rritur bashkëpunimin mes njëra-tjetrës. Anëtarët e Këshillit Bashkiak dhanë mesazhin se duke pasur informacionin e duhur për përfaqësuesit e të rinjve në politikë, të rinjtë do të kenë më shumë mundësi për të votuar njerëzit e duhur, duke bërë që vota e tyre të mos shkojë dëm.

Share.