Përfundon “Akademia Politike 2022”, e cila bazohet në programin “Mbështetja e Demokracisë në Ballkanin Perëndimor – Progresi dhe Lidhja e Urave të Bashkëpunimit” në bashkëpunim me Fondacionin Kalevi Sorsa, me një kurrikul të përshtatur që përfshin dy module intensive dhe interaktive, të dizajnuara si një kombinim i prezantimeve teorike dhe rasteve praktike për pjesëmarrësit.

Formimi i liderëve politikë të ardhshëm është një aspekt i rëndësishëm i përmirësimit të procesit të politikëbërjes. Nëpërmjet rritjes së kapaciteteve në nivel kombëtar, Akademia Politike 2022 synon të nxisë mendimin kritik, të trajnojë, evidentoj dhe promovoj individët që kanë ambicie dhe dëshirojnë të jenë pjesë aktive e jetës politike në vend. Nëpërmjet Akademisë Politike pjesëmarrësit patën mundësinë të kuptojnë më gjerë mjedisin kompleks politik, social dhe ekonomik dhe të njihen me procesin e rëndësishëm të integrimit në Bashkimin Evropian. Objektivi i Akademisë Politike është t’u ofrojë pjesëmarrësve njohuri dhe ekspertizë teknike për të rritur aftësitë e tyre për të formësuar argumente politike të sakta.

Moduli i dytë dhe i fundit i Akademisë Politike 2022 u zhvillua në datat 1-2 tetor 2022 në Shëngjin, Shqipëri. Ky modul u hap me fjalën e drejtorit ekzekutiv të Fondacionit, Z. Ledjon Shahini dhe u përshëndet nga Znj. Jelenca Simic, Menaxhere Programi për organizatën partnere (Kalevi Sorsa Foundation). Në kuadër të bashkëpunimit me organizatën finlandeze, sesioni i parë u mbajtë nga Z. Antti Ronkainen, kërkues shkencor në Universitetin e Helsinkit në lidhje me politikat ekonomike. Në këtë sesion të mbajtur në gjuhën angleze u fol mbi Integrimin Evropian dhe bashkëpunimin politik nga periudha e krizës Evropiane deri në zhvillimin e luftës Rusi-Ukrainë. Në vijim, Z. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, mbajti sesionin mbi historikun e integrimit evropian të Shqipërisë dhe negociatat e anëtarësimit duke i kushtuar vëmendje të veçantë kapitujve të negociatave dhe strategjisë së negocimit me institucionet Evropiane.

Në përfundim të ditës së parë, pjesëmarrësit patën mundësi të vizitojnë Kalanë e Shëngjinit për të njohur më shumë atraksionet historike dhe turistike të vendit tone dhe njëkohësisht për të zhvilluar networking midis pjesëmarrësve.

Dita e dytë e modulit nisi me diskutime të shumta në lidhje me sfidat e integrimit dhe prespektivat e pranimit në Bashkimin Evropian për Shqipërinë.

Në mbylljen të Akademisë Politike 2022, Znj. Romina Kuko, Zëvendësministër i Brendshëm dhe njëkohësisht pjesë e bordit drejtues të Fondacionit, zhvilloi diskutimin mbi Kapitullin 22 të Negociatave për Integrimin Evropian: Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore, në cilësinë e personit përgjegjës për këtë kapitull.

Në përfundim të trajnimit u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, ku pjesëmarrësit sipas dëshirës shprehen komentet dhe vlerësimin e tyre për programin e Akademisë Politike 2022.

Share.