Më 8 dhe 9 prill 2022, në Tiranë u zhvillua Forumi “Ballkani Perëndimor 2030”. Forumi u organizua nga Fondacioni “Qemal Stafa” në bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” ku të ftuar ishin anëtar të partive socialiste dhe fondacioneve simotra që veprojnë në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Forumi u zhvillua me dy panele të njëpasnjëshme duke lënë kohë në përfundim të secilit për pyetje nga audienca. Paneli i parë mbi perspektiven e Ballkanit Perëndimor u moderua nga Znj. Romina Kuko, Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe njëkohësisht anëtare e bordit drejtuese të FQS. Folësit e panelit përsëritën njëzëri se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian (BE). Aderimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është në të mirë të të dy palëve dhe është e rëndësishme që politikëbërësit evropian ta konsiderojnë procesin e aderimin me prioritet në çdo kohë.
Paneli i dytë mbi qëndrimet për një platformë rajonale politike për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor u moderua nga drejtori ekzekutiv i FQS, Z. Ledjon Shahini. Në këtë panel u theksua rëndësia e rajonit në tërësi dhe u diskutua për rolin e partive dhe fondacioneve simotra progresiste për të rritur bashkëpunimin dhe prosperitetin e mëtejshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.