Britania e Madhe ndodhet sot në një udhëkryq të madh “deal or no deal”! Brexit me 31 Tetor ose jo. Zgjedhje të reja apo vazhdim i qeverisjes së konservatorëve me Johnson në krye. Megjithëse data duket larg dhe kryeministri duket i vendosur që të vrapojë drejt largimit nga BE pa marrëveshje, ka një dhimbje koke jo të vogël, përkundrazi, një makth! Opozitën laburiste e cila po i ndalon çdo përpjekje për të bërë atë që ata e quajnë “një katastrofë”.
Opozita atje e ka një alternativë, rishikimin e marrëveshjes dhe disa opsione që mungojnë sot në kontratën finale të miratuar mes Britanisë dhe BE. Opozita së bashku me një grup deputetësh “rebelë” nga shumica konservative miratuan një ligj që bllokon Brexit pa marrëveshje, dhe në një mënyrë kanë marrë në dorë qeverinë, por pa qeverisur.
Nga ana tjetër Boris Johnson i ka kërkuar Mbretëreshës që të pezullojë Parlamentin deri në Brexit, veprim që ajo e bëri. Britania është vetëm një hap larg gjithashtu votës së mosbesimit për qeverinë dhe zgjedhjeve të reja, që në fakt të gjithë bien në një mendje se ato do të ndodhin me ose pa Brexit shumë shpejt.
Përse gjithë kjo parantëze për Britaninë kur Shqipëria jonë e vogël më 18 Tetor pritet të bëjë të kundërtën, hapjen e negociatave me BE? E kundërta çfarë Britania po bën pikërisht tani. A mundet në këtë rast të ngremë një hipotezë për një të përbashkë të madhe midis nesh?
Nëse Britani është opozita e cila po e pengon daljen e vendit nga BE, në Shqipëri a është opozita ajo që me veprimet e saj po e pengon hapjen e negociatave me BE? E vështirë të jetë kaq e thjeshtë. Megjithatë një gjë është e sigurtë, nëse opozita shqiptare do të ishte sot në parlament dhe do të kishim patur zgjedhje vendore me të gjithë palët në 30 qershor, shanset për hapjen e negociatave do të ishin shumë më të mëdha. Opozita me qëllim ka kontribuar në krijimin e një klimë anormale politike, e cila nuk mund të justifikohet në sytë vendeve skeptike.
Sikur Shqipëria të kishte një opozitë sot qeveria do të ishte akoma edhe më nën presion, në çdo aspekt. Ndoshta me një klimë akoma më të tensionuar politike, por absolutisht më të shëndetshme për demokracinë shqiptare. Sot Britania ndodhet në një çarje shumë të madhe mes atyre që duan largimin nga BE dhe atyre që duan qëndrimin, por askush nga përfaqësuesit e popullit nuk ka braktisur parlamentin. Përkundrazi, po përdorin deri në limite të gjitha hapësirat ligjore për të luftuar për idenë e tyre dhe për të bllokuar kundërshtarin. Dhe kjo është demokraci.
Sikur Shqipëria të kishte sot opozitë parlamenti do të ishte arena e vërtetë e përplasjes politike, dhe njerëzit do të mund të bënin qartë dallimet ndërmjet dy palëve, se cila ka të drejtë dhe cila jo. Se kush në fund fare kishte argumentat më të mirë dhe arrinte nëpërmjet fjalës të fitonte debatin. Sot qytetarët shqiptarë e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë kërkon opozita. Po të pyesësh, shumë syresh do të ngrenë supet, madje po të pyesësh edhe vet ish-deputetët e opozitës së çfarë duan, maksimumi që mund të argumentojnë është “largimin e Edi Ramës”.
Asnjë platformë, asnjë kërkesë, asnjë draft, asnjë negociatë, asnjë ide të re, asnjë sikur edhe ligj apo ndryshim ligjor. Largimi i kryeministrit për ta mesa duket zgjidh gjithçka shkon keq. Sikur të ishte kaq e thjeshtë.
Por nga ana tjetër çfarë ka prodhuar kjo situatë? Një parlament ku deputetët e mazhorancës mbajnë fjalime në eter drejtuar opozitës imagjinare, dhe nga ana tjetër fjalimet e deputetëve të rinj, të sforcuar të frymëzojnë popullin të lënë pa përfaqësim, përjashtuar Myslim Murrizin i cili në mënyrë befasuese ka surprizuar me retorikën e tij anti-establishment.
Në fund, kur të shkruhet historia e parlamentarizmit në Shqipëri, do të të ketë gjithmonë një pyetje, se çfarë do të kishte ndodhur me 18 Tetor me Shqipërinë, nëse do të kishim Opozitë? Pavarësisht se çfarë ndodh në 18 Tetor, “kosto oportune” e mungesës së opozitës në terrenin politik do të jetë një ekuacion i pazgjidhshëm. Turbinat e protestave pritet të ndizen sërish për të vazhduar avazin e vjetër, ndërsa fusha e lojës politike mbetet vetëm me një ekip, e cili pranoi të bëjë gol edhe me portën bosh, por tani të presim vendimin e gjyqtarit në 18 Tetor pasi të shohë “VAR”-in.