Parlamenti pluralist shqiptar i viteve të tranzicionit, në praktikat e tij nuk do të shënojë vetëm debatet, diskutimet dhe polemikat politike të këtyre viteve, por edhe gjuhën se si u shpreh dhe u artikulua kjo politikë. Nga shqipja e Dritëroit dhe Kadaresë, gjuha parlamentare kaloi në një stad tjetër. Atë të zhargonit, të dialektalizmit, të gjuhës se përditshme, pa standarte, pa rregulla sintaksore, shprehje të varfra shumë herë, për t’u bërë sa më të pranueshme jo vetëm prej oratorëve, por edhe popullit. Popullit që filloi ta ndjekë parlamentin në seancat e drejtëpërdrejta, jo aq për informimin politik, se sa për hilaritetin që filloi të konstatojë brenda tempullit të politikës, demokracisë dhe përfaqësimit. Vite me rradhë tonet e ashpra, debatet që tejkalojnë çdo imagjinatë dhe kufi etike, fjalori shumë herë i pakontrolluar, janë objekte bisedash nga kafenetë e lagjeve, deri në portalet më serioze.

Përtej çdo situate të rëndë apo edhe humoristike të krijuar nga foltorja e kuvendit si dhe nga poltronat e tij, natyrshëm lind shqetësimi për nivelin e përfaqësimit politik. Shumë herë lind pakënaqësia e akustikës së vrazhdë në sulmet frontale personale, në kritikat pa autokritikë dhe pa propozime të reja ndaj një situate që nuk i pëlqen opozitës. Në një lumë fjalësh , emrat e përveçëm bëhen qendër e seancave parlamentare, duke mospërfillur akoma institucionin në fjalë, por edhe institucionin që çdo deputet përfaqëson. Shakaja, thashethemi dhe përgojimi, janë tashmë armë të forta, jo për rimëkëmbjen e vendit, as për shtetbërjen dhe as për shtetarin, që shumë herë çuditet me çfarë sheh dhe dëgjon.

Duke ardhur në fund, me qershinë mbi tortë, që nuk janë tjetër veçse lapsuset dhe mosartikulimi i saktë i shqipes politike. Përveç sikletit, që të krijohet në të tilla raste, çuditesh edhe me pranimin e situatës. Sepse nuk është problem i sotëm, por është problem i mbartur në vite me rradhë. Është minimizimi i oratorisë dhe ideve politike, është minimizim i opozitës së ushtruar në mënyrë personale dhe jo institucionale. Është mungesë ideologjie dhe vizioni. Është mungesë në përgjithësi.

Në këtë rast nuk tremb individualisht lapsusi në shqip, i cili tashmë përsëritet ndër vite . Tremb pranimi në masë i lapsusit, tremb populizmi përpara ngjyrës politike dhe mungesa e një strategjie të qartë për shtetbërje. Tremb që kjo opozita është fluente dhe ekselente në gjuhë të huaja. Është e qartë në barrierën e saj ndaj prespektivës europiane të Shqipërisë, oratore e pengesës përpara partnerëve ndërkombëtarë. Është diçka më tepër se një lapsus, lapsusi i madh opozitar. Lapsus që ndër vite, vendit i kushtoi integrimin dhe mbetjen prapa në politikat ekonomike dhe sociale favorizuese europiane.

Opozita më në fund duhet te flasë shqip. Shqipen më të lartë të mundshme, sepse shqiptarët akoma nuk e kanë kuptuar çfarë do të thotë. Në kaq vite të anglishtes ekselente, portat e Europës, shqiptarët i kaluan dhe i kalojnë me vështirësi të papara. U bënë emigrantë, pa status shumë herë, akoma edhe sot. Janë në Europë, jashtë Europës. Duhet te flasë shqip opozita, atë shqipe që me çdo kosto po e flet Edi Rama, të cilin me anglishten ekselente, opozita e fajëson. Të flasë shqipen e Edit, të kuptueshme për partnerët ndërkombëtarë, shqipe që përkthehet në shtetbërje dhe vizion europian. Le të ulet më në fund dhe të flasë shqip përpara popullit të saj, përpara kryeministrit, përpara kolegëve, përpara vetes. E fundit që dëgjon veten është vetë ajo…

Share.