Në fokus: Promovimi i numrit të parë të revistës politike të Fondacionit “Qemal Stafa”

Datë: 11 Janar, COD Qendra për Komunikim dhe Dialog, Kryeministria

Aktiviteti u mbajt tek salla COD, pranë Kryeministrisë, më date 11 janar 2019, ora 17.30.

Të ftuar në panelin e diskutimit ishin:

– Jonida Smaja, Koordinatore Programi pranë “Friedrich Ebert” Foundation, Tirana

– Gentiana Sula, Kryetare, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentat e Ish-Sigurimit të Shtetit

– Doriana Matraku, Këshilltare pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

– Arben Malaj, ish- deputet i Partisë Socialiste.

Lançimi i Revistës është një arritje shumë e rëndësishme për Fondacionin “Qemal Stafa” mes shumë aktiviteteve të tjera të tij. Qysh ne nisje të projektit, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit Teuta Vodo kishte shumë të qartë nevojën e një produkti të shkruar si një trashëgimi për brezat dhe si një mënyrë për të dokumentuar aksionin politik përgjatë viteve. Nga ky frymëzim lindin  dhe objektivat e Fondacionit që jane hulumtimi dhe zhvillimi I ideve të reja politike.

Kjo revistë, e cila synon të trajtojë tema kryesisht politike, ka si objektiv final analizën e mjeteve më të mira të politkëbërjes nga akademikë shqiptarë dhe të huaj. “Zoon Politikon” mirëpret punime shkencore, studime dhe hulumtime nga akademikët e rinj, dhe do të publikohet çdo katër muaj. Tematikat e trajtuara janë ato të aktualitetit politik dhe social, në fushën e drejtësisë sociale, ekonomisë politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, arsimit, shëndetësisë, etj. Nxitja e debatit publik kërkon domosdoshmërisht fokusin e vazhdueshëm me studime dhe hulumtime prej ekspertëve të rinj shqiptarë e të huaj dhe reflektimet e tyre mbi politikbërjen.

Jonida Smaja moderoi e panelin dhe nëvizoi bashkëpunimin shumë të fortë që Fondacioni “Friedrich Ebert” dhe Fondacioni “Qemal Stafa” patën që në fillim të projektit, dhe deri në konkretizimin e tij. Një pjesë shumë e rendësishme e këtij projekti, theksoi ajo, janë edhe autorët që kontribuan dhe shkrimet dhe artikujt e tyre, duke i dhënë një standard të ri mendimit të ri kritik politik shqiptar.

Dorina Matraku nga eksperienca e saj si këshilltare e arsimit theksoi rëndësinë e politikave arsimore në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe theksoi se si aktualieti i protestës studentore është dëshmi e vështirësive që ky sektor po has aktualisht në Shqipëri, por që bashkëpunimi me institucionet qeveritare do të sjell shumë shpejt zgjidhjet e kërkuara.

Gentiana Sula theksoi se sa e rendesishme është informimi mbi të shkuarën, dhe  se si Institucioni që ajo drejton lindi si domosdoshmëri për të ridimensionuar raportin e shqiptarëve me të shkuarën e tyre politike, duke theksuar se si shumica e publikut jeton në një terr informativ për sa I përket gjenezave të para të ideologjisë së majtë shqiptare, duke marrë si shembull figuren e Musine Kokalarit dhe shumë personalitete të tjera shqiptare të asaj periudhe.

Arben Malaj ra në dakortësi me qëndrimin e parafolëses, duke ritheksuar se historia e çdo partie shqiptare dhe fillesat e saj janë një aset i paçmueshëm që duhet ruajtur me fanatizëm. Në aspektin ekonomik, në një këndvështrim global dhe jo vetëm shqiptar, ai tha se kemi nje krijim të madh të pasurisë, por një deformin në shpërndarjen e saj. Sfida e së ardhmes, sipas tij, është demokratizimi i të ardhurave, pra gjetja e mënyrave të reja që lehtësojnë aksesin drejt të ardhurat dhe favorizojnë rishpërndarjen e tyre.

Gjatë aktivitetit u vu re interesi i lartë I pjesmarrësve, dëshmi e të cilit ishte numri i lartë i tyre por edhe bashkëveprimi me panelin e diskutimit me pyetje dhe kërkesa specifike, si rasti i një aktivisteje shqiptare që jeton në Vjenë, e cila përgëzoi shumë nismën e publikimit të revistës dhe ofroi disponibilitetin e saj për të bashkëpunuar me shkrime kritike mbi politikbërjen. Ajo sugjeroi që Shqipëria të adoptonte politika sociale të ngjashme me ato të shtetit austriak, duke pare suksesin që ato kanë pasur në implementimin e tyre.

 

Share.