Ngjarja më e rëndësishme që mund të ndodhë përpara zgjedhjeve të ardhshme që Shqipëria do të ketë është Reforma Zgjedhore. Do të ishte krejtëisht e palogjikshme që të kishim zgjedhjet e radhës me të njëjtin kod dhe rregulla, pa kryer më parë këtë reformë. Po ashtu është shumë e qartë se mënyra sesi zhvillohen zgjedhjet është ende primitive, dhe për këtë mjaftoi “pasqyra” e zgjedhjeve të Kosovës, ku proçesi ishte disa herë më i mire, më I shpejtë, më demokratik dhe pothuajse me standartet më të mira perëndimore.
Në masë shqiptarët u ndjenë për të disatën herë të prapambetur në raport me bashkëkombasit tanë në një fushë ku kemi shumë e shumë më eksperiencë. Kosova shtet vetëm që nga 2007, arriti të realizojnë zgjedhje shumë herë më të mira se tonat. E Ky është fakt. Të gjithë u ndjemë të tradhëtuar nga klasa politike e këtyre 30 viteve, dhe kuptuam qartë sesa e thjeshtë është të zhvillosh një proçes të tillë, dhe sesa boshe janë retorikat e çdo fund zgjedhjeje, ku thuhet se ishin më të mira nga hera e fundit. Tashmë një gjë është krejtësisht e qartë. Ne nuk zhvillojmë dot zgjedhje me standarte perëndimore, thjesht sepse nuk duam.
Por kjo tashmë duhet të marrë fund njëherë e mirë, dhe zgjedhjet tona përfundimisht duhet të ngrihen më së paku në nivelin e Kosovës. Por kur flas për nivelin, këtu e kam fjalën jo vetëm për atë teknik, pra mënyra e votimit, komisionerët, listat, votimi diasporës, mënyra e numërimit, qasja e partive në fushatë dhe respektimi i kohës, financimi apo shpallja e rezultatit mbrëmjen e ditës së votimit, por edhe për nivelin politik dhe konceptual mënyrën e zgjedhjes së kandidatëve dhe sistemit zgjedhor.
Është shqetësuese ditët e fundit i gjithë debati i ngritur në Shqipëri, i cili po zhvillohet kryesisht në nivel teknik dhe nuk ka përmbajtje politike. Po diskutohet nëse duhet të votojmë apo jo në mënyrë elektronike, një element në mendimin tim totalisht i panevojshëm dhe që nuk sjell asnjë vlerë të shtuar në proçes. Në eksperiencën time disa vjeçare në fushata zgjedhjore dhe ditë votimi, për fat të keq kam hasur, kryesisht në zonat rurale, masa votuesish që nuk dinë sesi të votojnë. Të votojnë me dorë, në mënyrë manuale, e jo më në mënyrë elektronike. Ndërkohë që një element tjetër që po diskutohet ka të bëjnë me financimin. Shumë e rëndësishme, por jo thelbësore, e për më tej e pa-aplikueshme dhe e pamundur të monitorohet në kushtet tona aktuale.
Çështja tjetër lidhet me voten e diaspores. Shumë e rëndësishme, por e lënë mënjanë, por sërish jo thelbësore. E me radhë teknikalitete të cilat përbëjnë elementet dytësore të sistemit, por që në fakt nuk e ndryshojnë në thelb atë.
Ka një përpjekje nga ana e aktorëve kryesisht jashtë politikës, më së shumti të shoqërisë civile, dhe një pjesë e opozitës parlamentare që po kërkon në fakt ndryshimin e sistemit. Pra përfundimin e sistemit proporcional rajonal me lista të mbyllura, dhe kalimin në një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Sistemi është thembra e Akilit, dhe rezultati i një sërë problemesh në jetën politike aktuale.
Këtu qëndron thelbi i problemit të vërtetë të sistemit tonë zgjedhor, dhe jo tek votimi elektronik apo identifikimi me “retina display” të votuesve nga ana e makinerive. Debati është shfokusuar dhe ka filluar mbrapsht. Në refroma kaq të rëndësishme për një vend diskutimi fillohet me problemin madhor me thelbin, e më pas zbritet në element dytësore, pjesë përbërëse të sistemit.
Nëse një makine nuk i punon motorri, ne po kërkojmë që t’i ndërrojmë fenerët. Apo ndryshe është si të kesh një karrocë me kalë për të ngarë dhe ta modifikosh duke i vendosur timon me butona për opsionet e makinës dhe kondicioner. Thjesht debate duke rifokusuar dhe përqëndruar fillimisht vetëm këtu.
Ndër njerëz, votues ose jo, është prej një kohe të mirë tashmë ideja sesa ata nuk zgjedhin vërtet. Se vota e tyre është e pavlerë dhe se individët që përfaqësojnë popullin në parlament janë jo ata që duhet të jenë. Dhe pasqyrë më përfaqësuese dhe domethënëse se parlamenti i sotëm nuk ka. Parlamenti sot ulërin për ata që duan të dëgjojnë, se ky sistem jo vetëm që nuk është i duhuri, por na ka çuar në nivelin më të ulët të përfaqësimit këto 30 vitet e fundit.
Ka ardhur koha, dhe nejrëzit e presin ndryshimin e sistemit. Duan të kenë një sistem më përfaqësues, ku njerëzit mund të zgjedhin partinë dhe individin që duan t’i përfaqësojë në parlament. Shpresoj që në vazhdim debati të përqëndrohet ne këtë çështje, në të kundërt do të ishte një humbje e madhe dhe një tren i humbur sërish për Shqipërinë. Demokracia në vendin tonë duhet çuar në një nivel tjetër.
Por thënë këto më lart, së fundmi nuk duhet të harrojmë reformën zgjedhore edhe për zgjedhjet lokale. Ne sot kemi dy fletë votimi, një për këshill bashkiak, ku sërish aplikohet lista e mbyllur, dhe një për kryetar bashkie. Në mendimin tim dhe në një eksperiencë nga miqtë tanë social-demokratët suedezë, që ishin muajin e kaluar për një vizitë në Tiranë, votimi për zgjedhjet lokale duhet të jetë shumë më i thjeshtë.
Mjafton një fletë votimi për çdo parti, ku i pari listës është kandidati për kryetar bashkie i partisë, e më poshtë të gjithë kandiatët e asaj partie për këshill bashkiak. Dhe në këtë fletë votohet për partinë dhe kandidatin që qytetari preferon të zgjedhë në këshill bashkiak. Në rast fitoreje të njërës listë atëhherë i pari listës zgjidhet kryetar bashkie, dhe më të votuarit e saj anëtarë të këshillit bashkiak. Kaq e thjeshtë dhe demokratike, përkundër shpikjes që kemi aktualisht.
Ky ndryshim jo vetëm thjeshtëzon votimin, por e bën atë më pjesëmarrës dhe këshillat i bën përfaqësues direkt të qytetarëve dhe jo thjesht të partive politike. Ndërkohë që është e logjikshme që kandidati i propozuar i asaj partie për kryetar bashkie të udhëheqë listën, njësoj siç duhet të bëhet në sistemin për zgjedhjet parlamentare.
Nëse në këtë proçes reforme arrijmë që të bëjmë këto dy ndryshime, ndryshimin e sistemit në rang kombëtar dhe atë lokal, atëherë ky do jetë hapi i vërtetë drejt arritjes së standartit që ne duam si shqiptarë. Më pas në vazhdim sistemi mund të plotësohet me ndryshime të nevojshme që kanë të bëjnë me depolitizimin e adminsitratës zgjedhore, votimin nga diaspora dhe numërimin e shpejtë thjesht duke shtuar më shumë qendra numërimi. Po ashtu edhe me votimin e diasporës.
Ndërsa përsa i përket votimit elektronik, numërimi elektronik apo elementë teknologjikë ato nuk aplikohen as në Suedi. Nëse ne i aplikojmë jam i bindur që vetëm do ta vështirësojnë më shumë proçesin zgjedhor dhe do të jenë një hap i panevojshëm, energji e harxhuar për të arritur hiçmosgjë.

Share.