Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, sytë e opinionit të brendshëm publik dhe faktorit ndërkombëtar, mediave dhe kujtdo tjetër të interesuar për zhvillimet historiko- shoqërore në Shqipëri, janë kthyer nga shtatori, për të kuptuar e parë se si do të zhvillohen ngjarjet e reja, në teatrit tonë të vjetër politik.
Një akt shumë i rëndësishëm ky, që do të shërbejë si një urë e madhe lidhëse, mes tranzicionit 30 vjeçar postkomunist dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.
Vjeshta e këtij viti do të qartësojë veç të tjerash, tri momente kryesore:
Së pari, nëse opozita jonë e rrugës do ta gjejë “derën” për tu rikthyer në sistemin politik e demokratik të vendit, apo do të vijojë të ndjeki po këtë linjë derisa të shuhet.
Së dyti, nëse Ilir Meta do të shkarkohet si Presidenti i Republikës, për të kuptuar më pas të ardhmen e tij mes rikthimit në krye të LSI dhe ballafaqimit me drejtësinë e re.
Së treti, nëse Shqipëria do ta mari apo jo në tetor, datën e çeljes së negociatave për anëtarësimin në BE, sëbashku me Maqedoninë e Veriut.
E ardhmja e opozitës sonë rrugore, veç të tjerash do të ndikojë edhe në formësimin e skenës së ardhme të politikës shqiptare. Sa më shumë kohë që ajo do të vazhdojë që të qëndrojë jashtë institucioneve të vendit, aq më shumë shtohen shanset dhe mundësitë për krijimin e partive dhe realiteteve të reja politike.
E ardhmja e politike e Ilir Metës nuk ka të bëjë me thjeshtë dhe vetëm me shuarjen e një kurioziteti njerëzor. Por mbi të gjitha, me shqertësimin për rikthimin e institucionit të kreut të Shtetit në normalitet dhe rifutjen në shinat kushtetutese e ligjore, pas vendimeve të tij për anullimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe të gjitha qëndrimeve të tjera haptas politike, si të ishte “de facto” shefi i opozitës së rrugës, në majën e sistemit të vendit.
Rikthimi i normalitetit në Presidencën e Republikës, do të ndikojë edhe në stabilizimin e klimës së përgjithshme të jetës institucionale të vendit. Duke krijuar një frymë më pozitive bashkëpunimi dhe bashkërendimi, për ngritjen dhe rifunksionimin sa më parë, edhe të institucioneve të vjetra e të reja të sistemit të drejtësisë së reformuar.
Ndryshe nga sjellja e lidershipit të opozitës së rrugës, zhvillimi i qetë i zgjedhjeve më 30 Qershor dhe rrotacioni normal i pushtetit lokal pas betimit të Kryebashkiakëve të rinj dhe konstituimit të Këshillave Bashkiakë, ishte provë e pjekurisë dhe e maturimit të kulturës demokratike të qytetarëve shqiptarë.
Deri në shtator, mazhoranca ka edhe disa javë kohë që të reflektojë, për të kuptuar siç duhet, peshën e jashtëzakonshme të përgjegjësisë për të ardhmen e qeverisjes së vendit.
Ndërsa opozita, për të kuptuar se rruga e ndjekur deri tani, është kundërproduktive në radhë të parë për lidershipin dhe mbështetësit e saj vetë, por edhe për normalitetin e jetës së vendit dhe ritmeve të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
Për të mos u shndërruar në personazhin e skicës letrare të Qemal Stafës, i cili në “në verë shiste pemë. Në dimën gështeja të pjekme”, opozita jonë ka shansin që “qortimet” e mara deri tani, ti ndreqi sa nuk është vonë, deri në vjeshtë. Ndryshe nëse vazhdon kështu si deri më sot, ka shumë mundësi që të përfundojë “në dimër djeg mandatet dhe në verë, ngrohet në diell”.
Duke nisur nga 2020.
ALFRED PEZA