Politikat Qeverisëse mbi Rininë

Prej më shumë se një viti në Shqipëri ka nisur një debat jashtë vëmendjes së politikës, por në mesin e organizatave rinore, institucioneve, të rinjve të angazhuar publikisht për zhvillimin e politikave rinore dhe Ligjit për Rininë. Një debat i tillë kurrsësi nuk mund të merrte vëmendje në një situatë të ngarkuar politike, por nga ana tjetër kjo i ka bërë mirë, duke e lënë të zhvillohet si një debat konstruktiv në ombrellën e vet.

Artikulimi dhe rikthimi në vëmendje i nevojave për politika rinore filloi me formatimin e Qeverisë së re Shqiptare në fund të vitit 2017, ku sektori i Rinisë, pas shkrirjes së ish-Ministrisë së Mirëqenies Sociale kaloi nën përgjegjësinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

Kuptohet që kjo lëvizje i jepte këtij sektori një vëmendje të shtuar, bashkëngjitur me gjithë sistemin e edukimit, duke e bërë më të lehtë qasjen ndaj të rinjve. Por nga ana tjetër nevoja këtë radhë për të avancuar në sektorin e politikave rinore ishte më e madhe se kurrë dhe pritshmëritë të larta nga ana e shoqërisë civile.

Për hir të së vërtetës Shqipëria në raport me vendet e rajonit, pa kaluar në Europë, nuk ka qenë një nga pionieret e politikave rinore, për shkak të fokusit të munguar, burimeve financiare por edhe mungesës së një strategjie të qartë për sektorin. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat Shqipëria është përballur gjatë viteve të fundit ka qenë e vështirë që politikat rinore të depërtojnë në tryezat e vendimmarrjes politike gjatë dy dekadave të fundit.

Hapi i parë serioz në këtë fushë, ka qenë në vitin 2015, ku për herë të parë u miratua një Plan Kombëtar Veprimi për Rininë 2015-2020, i detyrueshëm për t’u zbatuar nga Qeveria Shqiptare. Kjo u pasua me ngritjen e një institucioni të ri si Shërbimi Kombëtar i Rinisë dhe tre qendra rinore rajonale në Tiranë, Vlorë dhe Korçë. Për një qeveri të majtë një ndërmarrje të tillë e ka detyrim, për t’iu përgjigjur nevojave të kohëve të sotme që ka rinia shqiptare për zhvillimin e potencialit të vet. Sfida të tilla kanë të bëjnë me angazhimin e tyre në jetën publike, edukimin për demokracinë, aftësimin për profesionet e së ardhmes, marrjen pjesë në proceset vendimmarrëse, financimin e projekteve dhe organizatave rinore e kështu me radhë.

Kur flasim për politikat rinore, detyrimisht mendja të shkon tek aspekti ekonomik dhe punësimi si çështje e nxehtë, por në fakt politikat rinore shtrihen akoma më gjerë se kaq. Këtu bëhet fjalë për edukimin jo-formal të të rinjve, hapësirat rinore (si qendra rinore, ambiente sportive, biblioteka etj), financim të projekteve rinore dhe organizatave rinore, pjesëmarrjen e të rinjve në proceset vendimmarrëse lokale dhe kombëtare, mundësinë për të patur një jetë aktive edhe pas shkollës, aftësim, vullnetarizëm, aktivizimit qytetar dhe edukimit mbi demokracinë. Për të mos harruar ngritjen e institucioneve kombëtare dhe lokale për të fuqizuar dhe monitoruar politikat rinore në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Dhe duke patur parasysh këto elementë, të cilët deri më tani janë zhvilluar duke u bazuar kryesisht në Planin Kombëtar të Veprimit, ndërsa në aspektin lokal ka qenë thjesht në dëshirën e kryetarëve të Bashkive apo Këshillave Bashkiakë, që për hir të së vërtetës kanë qenë shumë të paktë. Për ta bërë një fushë veprimi të detyrueshme për të gjithë institucionet dhe pasjen e mundësive për të mbështetur të rinjtë, lindi nevoja e pasjes së një Ligji për Rininë.  Ky ligj do të garantojë fillimisht konsolidimin e sektorit dhe dhënien e mjeteve të duhura për ta zhvilluar atë. Gjithashtu do të vendosë  një standard europian veprimi për të gjitha elementët që nevojiten në kohën e sotme për të zhvilluar sektorin e politikave rinore.

Kështu Shqipëria vendos një bazë të fortë ligjore e cila do të garantonte mbështetjen e të rinjve, duke hequr mundësinë e një politike ad hoc, e cila është aplikuar shpesh, dhe nuk ka garantuar rezultate të qëndrueshme.

Është e drejtë të thuhet se politikat rinore janë pasqyra sesi qeveria e një vendi i shikon të rinjtë e saj. Në një vështrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vihen re hapat përpara që janë bërë në lidhje me legjislacionin dhe infrastrukturën rinore. Serbia ka një Ligj për Rininë që prej vitit 2010, Kosova që prej vitit 2009, po ashtu edhe Mali i Zi që tashmë është në proces rishikimi. Bosnja dhe Hercegovina, përfshirë Republikën Srpska që prej vitit 2010 kanë një ligj për rininë dhe Strategji Kombëtare ndërsa Maqedonia mbështetet në një Strategji Kombëtare e krijuar që në vitin 2005. Ndërsa Shqipëria që prej 2015 ka një Plan Kombëtar Veprimi dhe në 2019 do të ketë për herë të parë një Ligj për Rininë. Një gur themeli për të kapur fillimisht standardin rajonal në raport me zhvillimin e politikave rinore, për të parë më pas më larg, në atë europian.

Sfidat që të rinjtë kanë sot në Shqipëri, nuk ndryshojnë shumë nga ato të rajonit edhe Europës. Të rinjtë kanë një rol të veçantë në shoqëri dhe ndeshen me sfida specifike. Të rinjtë dëshirojnë që të marrin nën kontroll jetën e tyre me ose pa mbështetjen e të tjerëve. Kur marrin kontrollin e jetës së tyre ata përjetojnë disa situata tranzitore në jetën e tyre personale dhe ambientin përreth, nga edukimi deri tek puna:

-jetesa më vete, bashkëjetesa me të tjerë apo pasja e një familjeje;

-pasiguria për të ardhmen si rezultat i globalizmit, ndryshimeve klimaterike, ndryshimeve teknologjike, demografia dhe trendet social-ekonomike;

-populizmi, diskriminimi, përjashtimi social, aftësitë e tyre profesionale dhe deri tek kuptimi sesi funksionon demokracia. Këto sfida të grupuara  kërkojnë vëmendje dhe adresim të veçantë.

Po ashtu një vëmendje të veçantë kërkohet edhe për të rinjtë e margjinalizuar dhe të diskriminuar për shkak të origjinës, seksit, orientimit seksual, aftësisë së kufizuar, besimit fetar apo opinionit politik. Përjashtimi social-ekonomik dhe përjashtimi demokratik shkojnë njëra pas tjetrës. Të rinjtë të cilët janë të disavantazhuar përgjithësisht janë qytetarë më pak aktivë dhe me pak besim tek institucionet.

Por ne nuk mund të pranojmë që talenti i të rinjve të humbasë, apo të rrezikojmë përjashtimin social të tyre dhe mos angazhimin në jetën publike. Të rinjtë nuk duhet të synojnë vetëm të jenë të pavarur por gjithashtu të kontribuojnë në mënyrë aktive në shoqëri. Dhe për të patur të shfrytëzuar të gjithë potencialin e të rinjve ne duhet që të reflektojmë për aspiratat e tyre, duke i transformuar në politika që i përgjigjen këtyre nevojave. Dhe shpërblimi për shoqërinë, për Shqipërinë, do të jetë patjetër më i madh sesa investimi që ne mund të bëjmë.

Dhe Ligji i Rinisë i hartuar së fundmi përmbush pikërisht këto objektiva dhe këto sfida të të rinjve shqiptarë për 10 vitet e ardhshme. Ngritja e institucioneve si Këshilli Kombëtar Rinor dhe Këshilli Vendor i Rinisë, do ti mundësojë të rinjve tanë pjesëmarrje direkte në proceset demokratike të vendit. Po ashtu njohja për herë të parë e “Punës Rinore” dhe “Punonjësit Rinor” krijon një fushë te re veprimi, dhe ngritje profesionale të atyre që punojnë me të rinjtë.

Financimi ka qenë gjithmonë thembra e Akilit për sektorin e rinisë, jo vetëm për burimet e pakta, por më së shumti për mungesën e hapësirës ligjore dhe mënyrave për t’i përdorur paratë. Për herë të parë do të financohen drejtpërdrejt nga qeveria projektet rinore dhe organizatat rinore në formë periodike, duke garantuar kështu qëndrueshmëri të atyre organizatave dhe grupeve që punojnë me të rinjtë. Financimi mund të quhet një problem i zgjidhur, ndërsa sfida do të jetë monitorimi dhe zhvillimi i kapaciteteve të institucioneve të reja për t’i çuar paratë aty ku duhet.

Ngritja e institucioneve të reja rinore ka qenë një sfidë e përhershme në Shqipëri, ndërkohë që sektori vetë ka lëvizur në disa ministri gjatë 20 viteve të fundit, që nga Ministria e Kulturës tek ish-Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Punës, më pas tek Ministria e Arsimit dhe Sportit. Me këtë kuadër ligjor, pavarësisht se nën cilën ministri mund të jetë në të ardhmen, fusha është e përcaktuar mirë dhe qartë në detyrat dhe funksionet e saj. Ngrihet gjithashtu Organizata Përfaqësuese Rinore Kombëtare, e cila përveçse luan rol për zhvillimin e brendshëm të organizatave të reja rinore, gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Ky ligj një rëndësi të veçantë i jep edhe mbështetjes së të rinjve në rang lokal, duke i dhënë mundësi por edhe detyrime njësive të qeverisjes vendore që të angazhohen në një zhvillim të qëndrueshëm të veprimtarive rinore në bashkitë e tyre.

Ky ligj nuk do të kishte kuptim nëse nuk do ta shtrinte veprimin e tij në të gjithë Shqipërinë për ti dhënë shansin çdo të riu, kudo ndodhet, të zhvillojë potencialin e tij. Sigurisht që sfida më e madhe mbetet implementimi, i cili do të kërkojë njerëzit e duhur dhe konsistencë nga institucioni udhëheqës që është Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Shqipëria ia kishte borxh të rinjve shqiptarë një hap të tillë, i cili e fut fushën e politikave rinore në një udhë të gjatë por edhe të vështirë zhvillimi. Ky ligj është vetëm një gur themeli, dhe nuk mund të shihet me syrin e zgjidhësit të të gjithë problemeve që mund të kenë të rinjtë tanë sot. Ky është fillimi për një punë të cilën një qeveri e majtë e bën për herë të parë në Shqipëri, dhe që do të mbahet mend për vëmendjen e duhur që i dha sektorit të politikave rinore, në një moment të ngarkuar politik.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

NEWSLETTER SIGN-UP

Subscribe to our mailing list