Më 8 dhe 9 prill 2022, në Tiranë u zhvillua Forumi “Ballkani Perëndimor 2030”. Forumi u organizua nga Fondacioni “Qemal Stafa” (FQS) në bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung” ku të ftuar ishin anëtar të partive socialiste dhe fondacioneve simotra që veprojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimin Evropian.
Forumi u zhvillua me dy panele të njëpasnjëshme duke lënë kohë në përfundim të secilit për pyetje nga audienca. Paneli i parë mbi prespektivën e Ballkanit Perëndimor u moderua nga Znj. Romina Kuko, Sekretare për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe njëkohësisht anëtare e bordit drejtuese të FQS. Folësit e panelit përsëritën njëzëri se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian (BE). Aderimi i vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është në të mirë të të dy palëve dhe është e rëndësishme që politikëbërësit evropian t’a konsiderojnë procesin e aderimin me prioritet në çdo kohë. Në kushtet aktuale të konflikteve gjeopolitike, stabiliteti, solidariteti dhe forcimi i demokracisë në rajon marrin vlerë të shtuar dhe kërkojnë përpjekje konkrete. Bashkimi Evropian duhet të marrë disa vendime duke i qëndruar premtimeve të bëra për 18 vite ndërsa vendet e rajonit duhet të vazhdojnë të punojnë fortë në mënyrë konsistente për të treguar se besojnë në vlerat themelore që BE përfaqëson dhe janë të përkushtuara për të përshpejtuar procesin.
Paneli i dytë mbi qëndrimet për një platformë rajonale politike për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor u moderua nga drejtori ekzekutiv i FQS, Z. Ledjon Shahini. Në këtë panel u theksua rëndësia e rajonit në tërësi dhe u diskutua për rolin e partive dhe fondacioneve simotra progresiste për të rritur bashkëpunimin dhe prosperitetin e mëtejshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Aty ku ende nuk është shfaqur apo përpunuar ndonjë qëndrim i përbashkët për të ardhmen e paparashikuar, është e rëndësishme të diskutohet dhe të ndërmerren hapa për t’i rezistuar sfidave aktuale, me prioritete të qarta me të cilat arrihen qëllimet e zhvillimit të politikave të majta. Të gjitha këto diskutime do të përpunohen në një dokument të përbashkët të fondacioneve simotra mbi angazhimet për sfidat aktuale të vendeve të rajonit në mënyrë që të shihen mundësitë për të ndërmarr iniciativa konkrete për ti çuar përpara ato.