Shqipëria dhe shqiptarët janë pjesë e pandashme e mozaikut të vendeve dhe popujve të kontinentit europiane, ku modelet  e demokracive të vendeve të Europës Perëndimore, kanë frymëzuar aspiratën shqiptare per të mos qënë thjeshtë një pjesë e natyrshme e kuadrit gjeografik dhe historik të kontinentit të vjetër, por  hallka integrale e bashkësisë aktuale dhe të identitetit të ri europian. Që prej rënies së sistemit komunist, shtysa kryesore për vendosjen e lidhjeve me Europën e Bashkuar, erdhi vertikalisht nga poshtë – lartë, deri tek maja e piramidës shtetërore.

Procesi i integrimit europian është një sfidë që duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila duhet të europianizohet brenda saj duke vijuar me reformat e ndërmarra. Shqiptarët mbeten një komb entuziast sa i takon anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, këtu i referohem sondazheve të bëra vit pas viti.

Arsyeja e këtij eurofilizmi lidhet me faktin se shqiptarët e shohin integrimin si zgjidhjen e shumë çështjeve të brendshme në vendin e tyre. Natyrisht Bashkimi Europian ka pësuar ndryshime që nga koha kur Shqipëria aplikoi për të filluar procesin e anëtarësimit. Proçesi i integrimit nuk u zbeh edhe në kohën kur Europa vuante nga kriza më e rëndë financiare që nga krijimi i saj. Politikat e hartuara nga institucionet e BE-së, dhanë rezultat pozitive dhe kriza u kapërcye.

Integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një projekt i vërtetë kombëtar dhe jo ekskluzivitet i vetëm i një grupimi të caktuar individësh. Duke u nisur nga fakti se procesi i integrimit nuk është një proces i zakonshëm negocimi diplomatik, duhet të ketë një konsensus gjithëpërfshirës rreth këtij projekti kombëtar, jo vetëm për përfshirjen e qeverisë por edhe të faktorëve të tjerë si institucionet shtetërore, të partnerëve sociale dhe të shoqërisë.

Në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një çështje që vlen të analizohet është dhe ajo që lidhet me konceptin e integrimit pozitiv dhe atij negativ. Kështu, integrim pozitiv është ai ku rregullat e përbashkëta të anëtarësisë vendosen nga një autoritet më i lartë, që arrin t’i sheshojë pabarazitë rajonale etj. Ndërsa, integrimi negativ i referohet mënjanimit të barrierave (veçanërisht atyre të tregut) midis vendeve anëtare. Më i qartë është ky integrim negativ, sepse fondet e BE-së janë relativisht modeste, krahasuar me ato të kontrolluara nga vendet anëtare të veçanta (shpenzimet komunitare publike në nivelin e BE-së janë afro 1% e GNP-së vjetore totale, ndërkohë që vendet anëtare të marra veç e veç shpenzojnë diku midis 35% deri 50% të prodhimit vjetor kombëtar). Nga ana tjetër, struktura qeverisëse e BE-së ka mjaft kompetenca e fuqi mbikombëtare. Ato i mundësojnë “qeverisjes” së saj nëpërmjet ligjeve dhe rregullave tek vendet anëtare, duke rritur shkallën e integrimit pozitiv.

Ky është një dallim jo i vogël krahasuar me një shtet normal, ku fuqitë politike e ekonomike janë të ndërlidhura midis tyre. Në fakt, sistemi i krijuar në bazë të traktateve europiane është më i prirë drejt integrimit negativ sesa atij pozitiv. Ndërsa, ky i fundit identifikohet me vlera të tilla si mbrojtja sociale dhe korrigjimi i tregut. Po ashtu, integrimi negativ lidhet më shumë me liberalizimin e tregut, “derregullimin”, mbrojtjen e interesave ekonomike. Kjo duhet kuptuar mirë jo vetëm nga politika, por dhe biznesi shqiptar. Aq më tepër që masat e integrimit pozitiv ndërhyjnë në çështje ekonomike dhe të ngjashme me to, ndërsa të drejtat themelore janë më të mbrojtura në kuadër të integrimit negativ. Tek ky i fundit futet dhe kultura që nuk mund të jetë statike, por i nënshtrohet një cikli të vazhduar ndërveprimesh e ndryshimesh të përbashkëta. Në këtë optikë, në kuadër të integrimit evropian, vlen të  analizohet në detaje raporti midis kombëtares dhe kozmopolites, përfshirë dhe shqyrtimin e kritereve mbi transformimin demokratik të identitetit kolektiv në Shqipëri. Integrimi në Bashkimin Europian, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera në rajon do të thotë gjithashtu më shumë stabilitet në Ballkan.

Të jesh anëtar me të drejta të plotë i familjes europiane do të thotë në radhë të parë të jesh i denjë për të, të jesh i përgjegjshëm dhe të sillesh e veprosh në bazë të vlerave të përbashkëta. Raporti aktual midis integrimit pozitiv e negativ duhet të kuptohet drejt në Shqipëri. Në fakt, sipas shumë vëzhguesve dhe diplomatëve, zhvillimet në Shqipëri manifestojnë njëfarë “patologjie” të politikës shqiptare, mbi të cilën ka jo pak ndikim integrimi pozitiv. Vetë ecuria e demokracisë shqiptare orientohet në procesin e integrimit evropian; veçse, në shumicën e rasteve, ka patur  vështirësi për t’u kuptuar si zhvillim i brendshëm i nevojshëm. Ndërkohë që vetë demokracia europiane, ecuria e saj, në thelbin e vet, mbetet zhvillim i brendshëm.

Në përgjithësi, bazat demokratike (pra dhe kushtetuese) të procesit të integrimit gjenden, në të shumtën e rasteve, në vendimmarrjet kombëtare. Edhe në rastin shqiptar, ky proces duhet të mishërohet në vendimet e kuvendit, në funksion të integrimit. Pse jo dhe në referendumin popullor përkatës. Nga ana tjetër, siç u trajtua më sipër, procesi i integrimit ka dhe një legjitimitet tjetër, atë të traktateve, mekanizmave të paqes e stabilitetit, kohezionit e solidaritetit, rregullimit e nxjerrjes së normave rregullatore për politikat e tregut përtej kufijve kombëtarë, një variant zbatimi ligji të denacionalizuar në mbrojtjen e të drejtave kryesore.

Pra, në thelb, ky integrim varet nga legjitimiteti kushtetues i institucioneve kombëtare (në radhë të parë i parlamenteve kombëtare), që shprehin vullnetin e popullit dhe sintetizojnë kapacitetin qeverisës përkatës. Integrimi europian përpiqet të funksionojë mbi parimin e legjitimitetit dhe të ndarjes së fuqisë, nëpërmjet shpërndarjes se fragmentimit të fuqisë rregullatore jashtë parlamenteve kombëtare, me angazhimin e strukturave ekzekutive e teknokratike mbikombëtare dhe mekanizmave mbikëqyrëse të kësaj “qeverisje administrative”. Prandaj, eurofilizmi shqiptar u shërben të gjithë qytetarëve dhe si e tillë duhet te vihet në dobi të tyre pa dallime politike.

Share.