Datë: 10 Maj 2018, Tiranë
Në Fokus: Decentralizimi i Shërbimeve Shoqërore
Në datën 10 Maj 2018, Fondacioni “Qemal Stafa” organizoi Panelin e tretë të Diskutimit, i cili fokusohet në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me Acqui-në e Bashkimit Europian.
Nën moderimin e Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit “Qemal Stafa”, znj. Teuta Vodo, diskutimi u zhvilllua nën temën “Decentralizimi i Shërbimeve Shoqërore”.
Panelistët të cilët ofruan qasjen e tyre lidhur me temën ishin Znj. Ardiana Jaku, Zv. Ministre e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale; Znj. Anisa Ruseti, Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë së Tiranës dhe Znj. Shpresa Spahiu, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit “Ndihmë për Fëmijët”.
Ky diskutim ishte i fokusuar drejt rëndësisë së decentralizimit të shërbimeve shoqërore, për të qënë sa më pranë njerëzve në nevojë.
Koncepti i decentralizimit të shërbimeve shoqërore është përdorur për herë të parë në vitin 2000, vit kur qeveria shqiptare e asaj kohe dhe Banka Botërore nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e projektit më të madh në fushën e shërbimeve sociale të quajtur “ Shpërndarja e Shërbimeve Sociale” i cili synonte transferimin e kësaj përgjëgjësie në mënyrë graduale nga pushteti qendror tek ai vendor, si një pushtet më pranë njerëzve dhe nevojave të tyre.
Siç dhe znj. Anisa Ruseti u shpreh: “Një ndër veprimet më të suksesshme për vitin 2016 – 2017, ka qënë nënshkrimi i Paktit Social! Një pakt që theu mitin se Kryetarët e Bashkive mendojnë vetëm për shërbimet, të tilla si uji, infrastruktura, drita e shumë të tjera. Ky fakt, tregon jo vetëm pjesën sensitive dhe dashamirëse të trajtimit të këtyre çështjeve, por edhe implementimin e suksesshëm të nënshkrimit të paktit. Ndër të tjera, ka qënë dhe sigurimi i 120 banesave sociale për komunitetin rom. Pasi dhe prioriteti i tyre është mbështetja dhe suportimi i individëve në nevojë!”
Ndërkohë që, Znj. Ardiana Jaku, cilësoi : “Se çështje të tilla duhet të diskutohen më shpesh, të njihen dhe të përmirësohen për të shmangur çdo problematikë që haset në implementim. Dhe gjithashtu, diskutime të tilla duhet të vlerësohen nga qeveritë dhe institucionet si një mundësi për ti shërbyer sa më mirë qytetarëve të tyre!”
Gjithashtu, Znj. Shpresa Spahiu,theksoj se: “Qendrat Sociale duhet të jenë mjedise që sigurojnë mirëqënien, pavarësinë dhe integrimin e individëve që kanë nevojë për këto shërbime sociale. Dhe duke u bazuar dhe në këtë vlerë, misioni i tyre është që fëmijët e deprimuar, kryesisht të komunitetit rom, të arrijnë të integrohen dhe të kenë rezultate të mira në shkollë, e si pasojë të kenë një jetë të shëndetshme dhe të qëndrueshme.”
Por vlen për tu përmendur fakti, se sot pushteti qëndror ka standartizuar shërbimet, ka zhvilluar plane veprime dhe aprovuar ligje shumë të mira që adresojnë nevoja dhe që janë të ndërtuara mbi parime bashkëkohore.
Znj.Vodo në përmbyllje të aktivitetit nxori në pah se misioni ngelet koordinimi i punës për ngritjen dhe përmirësimin e shërbimeve sociale, hartimin e politikave dhe strategjive të kujdesit social, si dhe planifikimi i ndërhyrjeve afatshkurtra dhe afatmesme për kategoritë në nevojë në qytetin e Tiranës, me qëllim arritjen e parametrave bashkëkohore kombëtare e rajonale në ofrimin e këtij shërbimi.