Forcimi i Menaxhimit të Financave Publike: Një Parakusht për Rritjen e Qëndrueshme dhe Punësimin

Datë: 25 Maj 2018, Tiranë

Në Fokus: Forcimi i Menaxhimit të Financave Publike: Një Parakusht për Rritjen e Qëndrueshme dhe Punësimin

 

Në datën 25 Maj 2018, Fondacioni “Qemal Stafa” organizoi Panelin e Diskutimit të rradhës, i cili fokusohet në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me Acquis-në e Bashkimit Europian.

Nën moderimin e Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit “ Qemal Stafa”, znj. Teuta Vodo, diskutimi u zhvilllua nën temën “Forcimi i Menaxhimit të Financave Publike : Një parakusht për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe punësimin”

Panelistët të cilët ofruan qasjen e tyre lidhur me temën ishin  Z. Erjon Luçi, Zv. Ministër i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë; Z. Elton Haxhi, Zv. Ministër i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Znj. Vanina Jakupi, Drejtoreshë tek Drejtoria e Menaxhimit të Reformave në Fushën e Menaxhimit të Financave Publike..

Ky diskutim ishte i fokusuar drejt forcimit të menaxhimit të financave publike, si një parakusht për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe punësimin.

Sikurse dhe Z. Luçi, Zv. Ministër i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vuri në dukje : “Vizioni i Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike është sigurimi i sistemit financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale, efikasitin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike.”

Sigurisht, ajo qe ne synojmë të arrijmë nëpërmjet këtyre strategjive është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimi ekonomik.

Ndërkohë, Z. Elton Haxhi gjatë fjalës së tij theksoi se: “Prioritet kryesor i Reformës së Menaxhimit të Financave Publike është arritja e një buxheti të mirë-balancuar dhe të qëndrueshëm me një raport të ulur të borxhit publik nëpërmjet konsolidimit të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe proceseve te auditimit.”

Ministria e Financave është një partnere e fortë në luftën ndaj korrupsionit, e cila është një ndër 5 prioritetet që Komisioni Europian ka kërkuar me domosdoshmëri që të plotësohet.

Në kuadër të këtij prioriteti, është në objektiv posaçërisht efikasiteti i auditimit dhe inspektimit të brendshëm, në Planin të Veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2015-2020.

Ashtu siç znj. Vodo shpjegoi : “Ajo ç’ka ky objektiv synon është menaxhim më i mirë i fondeve publike si dhe mbrojtja e interesave financiare të entiteteve publike kundër keqmenaxhimit serioz financiar, mashtrimit, vjedhjes, shkatërrimit të pronës, keqpërdorimit të pushtetit apo korrupsionit.”

Gjithashtu, znj. Vanina Jakupi cilësoi se “Nuk është e mjaftueshme vetëm një reformë e mirë, por prezenca e një proçesi të qartë dhe të mirë-strukturuar monitorimi që siguron implementimin dhe përmirësimin eventual të saj.”

Gjatë diskutimit u nxor në pah dhe roli i organeve të qeverisjes vendore në menaxhimin efektiv të financave publike.

Ofrimi i shërbimeve publike në mënyrë efiçente nga qeveritë vendore dhe mbledhja e taksave dhe tatimeve janë disa nga instrumentat që kontribuojnë dhe nxisin zhvillimin ekonomik të një vendi.

Znj.Vodo në përmbyllje të aktivitetit theksoi se njohja me politikat e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për menaxhimin e financave publike dhe monitorimi i përpiktë i Strategjisë së Reformës së Menaxhimit të Financave Publike janë shumë të rëndësishme pasi një menaxhim i mirë i financave publike garanton një qeverisje demokratike, stabilitet makroekonomik, përdorim efektiv të burimeve në dispozicion dhe redukton varfërinë.

Leave a Comment