Politikat e Sigurisë dhe Migrimi i Paligjshëm

Datë: 19 Mars 2018, Tiranë

Në Fokus: Politikat e Sigurisë dhe Migrimi i Paligjshëm

 

Në datën 19 Mars 2018, Fondacioni “Qemal Stafa” organizoi Panelin e Diskutimit të tij të parë, i cili fokusohet në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me Acqui-në e Bashkimit Europian.

Nën moderimin e Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit “Qemal Stafa”, znj. Teuta Vodo, diskutimi u zhvillua nën temën “Politikat e Sigurisë dhe Migrimi i Paligjshëm”.

Panelistët të cilët ofruan qasjen e tyre lidhur me temën ishin znj. Rovena Voda, Zv/Ministre e brendshme; Znj. Evis Fico, juriste – eksperte e emigracionit dhe z.Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i European Movement Albania.

Paneli i diskutimit ishte i fokusuar në krizën e migrantëve, e cila ka mbërthyer vëmendjen e Bashkimit Europian.  Deri në vitin 2016, më shumë se 2.3 milionë njerëz kanë kapërcyer kufijtë e shteteve të Bashkimit Europian më mënyrë të paligjshme.

Një valë e tillë migracioni, e papritur dhe e kombinuar edhe me mbipopullimin e infrastrukturave solli edhe atë që fatkeqësisht mundohemi ta luftojmë çdo ditë, shkeljen e të drejtave të njeriut.

Znj. Rovena Voda, gjatë ndarjes së një pjesë të eksperiencës së saj sipas portofolit mbi Migracionin, Azilin dhe Shtetësinë theksoi se: “Shqipëria prej shumë kohësh fatkeqësisht nuk kishte nje strategji për migracionin. Strategjia e re e Migracionit ka qenë një ndër rekomandimet e përmendura në Progres raportin e Komisionit Europian në 2016.”

Ndërkohë që znj. Evis Fico, theksoi se: “Sa i takon kuadrit ligjor,Shqipëria ka miratuar të gjitha direktivat për të drejtat e migrantëve, ka ndryshuar ligjin për të huajt për të trajtuar në mënyrë të barabartë shtetasit e Bashkimit Europian lidhur me punësimin dhe të drejtat sociale”.

Në dritën e eksperiencave pozitive dhe negative që kanë ardhur nga procesi i liberalizimit të vizave.

Sikruse dhe z. Gjipali nxori në pah që: “Shqipëria ka pasur disa avantazhe kundrejt vendeve të tjera, por jo gjithmonë i ka shfrytëzuar ato, prandaj është me rëndësi të merret si shembull procesi i liberalizimit të vizave dhe si mund ta përdorim në stadin aktual të integrimit europian. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në rajon e cila ka pasur një strategji të menaxhimit të integruar të kufijve dhe ka qenë e avantazhuar kundrejt të tjerëve për shkak se të gjitha problemet i trajtonte në mënyrë të integruar, ato të sigurisë, të dokumenteve të pikave të kalimit të kufirit, të legjislacionit, të trajtimit të azil-kërkuesve që vijnë për të qëndruar në Shqipëri apo që e përdorin Shqipërinë si urë kalimi për në një vend tjetër, gjithashtu dhe për të qenë sa më korrekt me flukset migratore të paligjshme. “

Znj Vodo në përmbyllje të aktivitetit nxori në pah se ky diskutim është i rëndësishëm për misionin e Fondacionit “Qemal Stafa” si qendra kërkimore e Partisë Socialiste, me anë të së cilës synohet kërkimi i politikave më të mira për adresimin e një problem të caktuar.

 

 

Leave a Comment