Një vit i ri akademik jo si të tjerët

Mes jehonës së mediave botërore nga njëra anë dhe “shuplakës ndaj institucioneve” nga ana tjetër, vala e protestave studentore të fundvitit të shkuar ja doli të vendoste në krye të axhendës qeveritare problematikat e arsimit të lartë dhe jetës studentore. Është fakt i gjithëpranuar se protestat studentore të dhjetorit të shkuar ishin ndër më të pazakontat e të gjithë viteve të tranzicionit dhe kjo për disa arsye. Së pari, ishin protestat e para masive të nisura nga studentët në gjithë vitet e pluralizmit, ishin të papolitizuara në krye të herës dhe ç’është më e rëndësishmja si një instrument demokratik përkulën qeverinë përball kërkesave të të rinjve, gjë e cila duke anashkaluar protestat për “armët kimike” skishte ndodhur më parë.

Protestat studentore zunë fill pas festave kombëtare të 28-29 nëntorit, të iniciuara në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Universiteti Politeknik i Tiranës u përhapën më pas në të gjithë fakultetet dhe universitetet e Shqipërisë. “U korr çka ishte mbjellë” do të shpreheshin analistët në ato ditë fillimdhjetori, pasi pakënaqësia e akomuluar prej vitesh të tëra shpërtheu për ditë e netë me radhë ku mijëra të rinj e të reja u derdhën paqësisht rrugëve të kryeqytetit dhe qyteteve të tjera universitare, me kërkesa nga më baziket si përmirësimi i kushteve në universitete e godinat e konvikteve dhe deri te ato më të komplikuarat e delikatet si anullimi i ligjit të arsimit të lartë.

Ishte perfekte në çdo detaj deri sa në fundin e javës së parë ndodhi e pashmangshmja, kapja dhe politizimi i protestës si një manovër nga grupimet rinore politike të opozitës për të marrë kontrollin, përçarja dhe kërkesa jo qartësisht të artikuluara. Dalëngadalë u vu re pasja e një axhende të fshehtë politike kundër qeverisë larg qëndrimeve zyrtare të grupeve të mirëfillta studentore si dhe devijimi i vëmëndjes nga problemet më thelbësore që hasin studentët.

Si rrallë ndonjëherë me një qeveri shqiptare pas viteve 90’, ku arroganca e pushtetit ka imponuar anatemim të kërkesave nga cilido drejtim ato kanë ardhur, në këtë rast kërkesat u pranuan në bllok nga qeveria e Shqipërisë. Protestat studentore ndryshuan totalisht axhendën politike të qeverisë, nga një prioritet i rangut të dytë apo të tretë, zhvillimet studentore ja dolën të sjellin vëmendjen në plan të parë të politikës dhe të opinionit publik. Përpos ndryshimit të axhendës qeveritare protestat patën edhe ndikim politik në ndryshimin e përbërjes së kabinetit qeveritar dhe jo vetëm në Ministrinë e Arsimit.

Prej janarit të këtij viti deri më sot kanë ndodhur shumë zhvillime, por pesha dhe jehona e mijëra studentëve që ishin rrugëve ende nuk është shuar. Pakti për Universitetin e zbuti revoltën e studentëve duke sjellë disa përmirësime relative në kushtet dhe jetën universitare.

Së pari, investime në infrastukturën e konvikteve të Qytetit Studenti, hapësira në të cilat nuk ishte vënë dorë prej dekadash. Së dyti, në Kartën e Studentit nga ku përfitohen rreth 40 lehtësira dhe shërbime për studentët e universiteteve publike. Së treti, në anullimin e tarifës së studimeve Bachelor plus 10 000 Lekë bursë për studentët që plotësojnë disa kushte dhe përgjysmim të tarifës së studimeve Master, që sollën lehtësim në buxhetin familjar. Së katërti, në ngritjen e portalit të transparencës dhe ankesave për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe së fundmi, në punësimin e 1000 studentëve të shkëlqyer në institucionet e administratës shqiptare.

Në secilën prej pikave të mësipërme ka vend dhe hapësirë për diskutim, për faktin se cila është bërë më shumë, cila më pak dhe se cila mund të bëhej më ndryshe, por në përfundim rezultatet janë pozitive por sigurisht që ka hapësira për të bërë më shumë.

Natyrshëm shtohet pyetja se sa do mundet që këto ndryshime përgjatë këtij viti të jenë të qëndrueshme në prag të fillimit të këtij viti akademik?

Pak ditë na ndajnë nga fillimi i vitit të ri universitar, sigurisht me shijen e ndryshimeve në kuadër të Paktit të Studentit dhe valës së protestave të fundvitit të shkuar. Në një sondazh të publikuar nga Ministria e Arsimit disa ditë më parë thuhet se studentët thonë që 66% e personalit akademik është kompetente për shpjegimin e njohurive, ç’ka do të thotë që 44% nuk është. Një prej sektorëve që mendoj duhet të thellohen kërkesat e studentëve është cilësia akademike ndaj fenomenit “pedagogëve të paprekshëm” duke filluar prej vlerësimit të pamerituar, plagjiaturave, nepotizmit, korrupsionit në rradhët e stafit akademik e kështu me radhë.

Përgjigjet e shumë prej këtyre çështjeve gjenden në dyert e fakulteteve dhe të rektoratit, e disa të tjera në institucionet qeveritare.

Në konkluzion mund të thuhet se protesta studentore bëri mjafteshëm, ndoshta më shumë se çfarë mund të mendohej në fillim duke shërbyer si një leksion i mirë demokracie për të gjithë.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

NEWSLETTER SIGN-UP

Subscribe to our mailing list