Datë: 9 Korrik 2018, Tiranë

Në fokus: Mbrojtja e Pakicave Kombëtare dhe Dinamika e Të Drejtave të Njeriut

 

Në datën 9 Fondacioni “Qemal Stafa” zhvilloi panelin e radhës, në fokus Pakicat Kombëtare. Të ftuar ishin: Znj. Vasilika Hysi, Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut, Z. Igli Totozani, Ish Avokat i Popullit, Znj.Artemis Dralo Zëvëndësministre, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Lisen Bashkurti, President, Akademia Diplomatike Tiranë. Moderuese në panel ishte Znj. Teuta Vodo, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit “Qemal Stafa”.

Paneli i diskutimit kishte në fokus diversitetin, tolerancën dhe bashkëjetesën midis pakicave kombëtare si një vlerë e shtuar e shoqërisë shqiptare, si dhe projektligjin “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” i cili përmirëson ndjeshëm kuadrin ligjor të mbrojtjes së pakicave në vendin tonë.

Në 20 vitet e fundit këto pakica janë përpjekur të fitojnë të drejtat e tyre si minoritete të vecanta. Pas hyrjes në fuqi të ligjit nr.96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, institucionet shqiptare u përfshinë në një punë intensive për përmirësimin e kuadrit nënligjor, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga ky ligj. Pikërisht ky ligj dhe këto akte nënligjore do të bëjnë të mundur efektivitetin dhe vlefshmërinë e këtyre të drejtave.

Znj. Vasilika Hysi, me një eksperiencë shumëvjecare që prej vitit 2000 si kryetare e Nënkomisionit për Të Drejtat E Njeriut dhe si pedagoge, tregoi se pakicat kombëtare kanë patur ndër vite të rinj me potencial dhe theksoi vecanërisht nevojën e identifikimit të tyre si një domosdoshmëri jo vetëm në premisa të kulturës së tyre, por të të gjithë vendit. Gjithashtu foli për ndikimin e madh që do të kenë aktet nënligjore si rregulluese të fushave të ndryshme të jetës së përditshme të minoriteteve duke lehtësuar shumë procedura. Vasilika Hysi pohoi se do të vazhdonte të jepte maksimumin e kontributit të saj në përmbushje të të gjitha kërkesave të kërkuara nga pakicat kombëtare.

Nuk u la pa përmendur dhe zhurma e madhe mediatike përsa i përket këtij ligji. Z. Igli Totozani në eksperiencën e tij të gjerë tregoi hapur se sa gjerësisht gjuha e urrejtjes e ka karakterizuar këtë temë, dhe jo vetëm për minoritetet që ndodhen në vendin tonë, por edhe për vetë emigrantët e shtetit Shqiptar. Është e patolerueshme të përbuzësh ata të cilët punojnë fort për zhvillimin e Shqipërisë.

Megjithatë Znj. Artemis Dralo pohoi se Shqipëria ka jetuar në mënyrë harmonike me pakicat, e thënë kjo jo nga pozicioni si zëvëndësministre, por si pjestare e pakicës Greke, duke sqaruar më tej dhe për risitë e komisionit përfaqësus, i cili është një hap drejt zhvillimit, ku formulari i vetëdeklarimit do të bëjë të mundur që pakicat kombëtare të ruajnë dhe të zhvillojnë identitetin e tyre të dallueshëm dhe jo vetëm kaq, ajo do të shërbejë si identifikuese e minoriteteve të reja. Për sa i përket arsimimit, mendohet të krijohet një mekanizëm për përcaktimin e nxënësve pjestarë të pakicave dhe krijimin e orëve shtesë për mësimin e gjuhës, kulturës dhe historisë së tyre.

Lisen Bashkurti i cilësoi pakicat si kapilar që qarkullojnë kulturën e tyre nëpër të gjithë vendin, pra si një pjesë e domosdoshme e kulturës tonë. Shumë shpejt vendi ynë nuk do të ketë më ligje për pakicat kombëtare, por ligje te shumta dhe të konsoliduara për Të Drejtat E Njeriut, të drejta të barabarta, pa dallim feje, gjuhe dhe kulture.

Qëllimi i këtij paneli ishte evidentimi i rëndesisë që pakicat kombëtare kanë si dhe gjithëpërfshirja e tyre ne jetën publike, kulturore, sociale dhe ekonomike si individë me të drejta të barabarta.

Vlerat dhe kontributi i personave që i përkasin pakicave, padyshim janë mode bashkëjetese i komunitetit, por edhe i shoqërisë shqiptare. Angazhimi për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave është një realitet, por edhe sfidë për përmirësimin e mëtejshëm në përputhje me standardet evropiane.

Share.