LOTËT PËR AMAZONËN…PLEHRAT PËR LANËN!

Populli i mallëngjyeshëm i Facebook dhe Instagram, u ngashërye këto ditë për një ngjarje të rëndë për të cilën edhe vetë bota e civilizuar, kërkoi pak ditë kohë për ta vendosur të parën në skaleta e lajmeve. Djegia e pyjeve tropikale të Amazonës bëri të qajë i madh e i vogël nga “Corona” që derdhej lumë plazheve të Dhërmiut e Jalës e deri në pishinat luksoze në periferinë e kryeqytetit. Janë ata, të njëjtët që fluturojnë kanaçet nga dritarja apo lëshojnë me prepotencë filtrat e vyshkur të cigareve… janë ata që i kthejnë pemët buzë lumenjve si Pemë të trishtuara Krishtlindjesh, shëmtuar me qese dhe mbeturina.

Të kuptohemi qartë dhe shkoqur. Amazonën e kuptoi dhe i madh e i vogël, që përbën 20% të mushkërive të Tokës, praktikisht një goditje në aparatin frymëmarrës që rrezikon në plan afatgjatë të ketë pasoja të pariparueshme.
Pellgu i Amazonës që është shtëpi e rreth tre milion llojeve të ndryshme të bimëve dhe kafshëve, dhe e një milion njerëzve indigjenë (ata që Instagramsave u duken si filma, me thupra dhe me gjethe përpara) – është vendimtare për rregullimin e ngrohjes globale. Pyjet e saj thithin miliona ton emetime karboni çdo vit. Por kur pemët shkatërrohen ose digjen, karboni që ato depozitojnë lëshohet në atmosferë dhe aftësia e shiut për të thithur emetimet e karbonit është zvogëluar.

Shumica e rajoneve më të prekura janë në veri të Brazilit. Roraima, Acre, Rondônia dhe Amazonas, të gjitha këto shënuan një rritje të madhe të përqindjes së zjarreve krahasuar me mesataren gjatë katër viteve të fundit (2015-2018). Roraima pati një rritje prej 141%, Akra 138%, Rondônia 115% dhe Amazonas 81%. Mato Grosso do Sul, që ndodhet më tej në jug, pati një rritje prej 114%. Para se të plasnin flakët, ishin të shumtë ata që parashikonin shkatërrimin e zonave të tëra pyjore në emër të zhvillimit, në emër të ndërtimeve dhe planit në fushatë të presidenti Bolsonaro, për t’i dhënë impuls ekonomisë dhe kompanive të naftës në zona të pashfrytëzueshme më parë.
Por të kthehemi në Mëmëdheun tonë kuqezi, më zi sesa kuq e më kuq sesa flakë…

Nevoja emergjente për mbjelljen e pemëve, është kthyer prej 4 vjetësh në kryefjalën e Tiranës. Një pemë për ditëlindje, një për fejesë e një për të kujtuar ata që nuk i ke më në krah, për ti përqafuar. Mes ironisë për të krahasuar këtë aksion pozitiv, dhe të tjerëve për të pastruar vendin, duhet gjetur problemi në gjenezë. Shqiptarët janë popull që i pëlqen zhuli.

Ai nuk e ka problem të përlotet për Amazonën, por ia cënojnë nderin shitëset nëse nuk i japin qese plastike në market, edhe kur ka vetëm një bidon ujë. karvani on më pas bidonin në rrugë, cigaren pranë tij, e pellgu i plehrave vazhdon e zmadhohet, deri kur i njëjti shqiptar, ta fotografojë për të treguar problemin…i pari…ia hodhi.
Shumëkush e quan këtë një problem edukate, e kërkon që në shkolla të imponohet një lëndë mjedisore, krah të tjerave për të mësuar që fëmijë ndarjen e mbeturinave, proçesin e përpunimit dhe efektet negative. Në shkolla të ndryshme të kryeqyteit po praktikohet prej 3 vjetësh me nxënësit e 9-vjeçareve sesi të përmirësohemi në këtë drejtim. Orë të tëra në natyrë, shembuj konkretë dhe praktikë në zonat e gjelbërta, që po japin efekte pozitive te fëmijët.

Brezat po ndërrohen e do të jenë të njëjtët ata fëmijë që pas leksioneve falas për natyrën, do të qajnë fillimisht për Lanën, për plastikën që i pluskon para syve nga dora e shqiptarit. Më pas do të shqetësohet për Amazonën, për G7, për Bolsonaron dhe për Macron….e deri atëherë lotët për Amazonën e plehrat për Lanën.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

NEWSLETTER SIGN-UP

Subscribe to our mailing list