Kroacia- Presidenca ndryshe e BE-së/Impulse të reja për zgjerimin!?

Prej një Janarit të këtij viti presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian do të kryesohet për herë të parë nga anëtarja më e re, që nga anëtarësimi i saj në Korrik 2013-ës. Në të gjitha mbledhjet e liderave të bllokut të 510 miljon banorëve, axhenda e programit të punës së Këshillit dhe institucioneve të tjera do të drejtohet në këtë presidencë 6-mujore nga vendi ballkanik, apo siç njihet ndryshe, ‘roja bindëse’ i kufijve të jashtëm të BE-së, Kroacia.

Presidenca kroate e Janar-Korrikut të 2020-ës gjatë së cilës prezhektorët dhe vëmëndja e Evropës do të jenë të orientuara nga Zagrebi, pritet të jetë ndryshe. Kroacia po e merr stafetën e presidencës së Këshillit të BE-së nga Finlanda, e cila në 6 muajt e shkuar, në raport me zgjerimin, doli me qëndrimin drastik për të diskutuar veçmas Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për çeljen e negociatave, që rrjedhimisht ngriti pikepyetjet mes shteteve të unionit dhe shtyrjen e çeljes së negociatave pas vetos së Francës, Holandës dhe Danimarkës, cilësuar si një “gabim historik” nga lidershipi i BE-së.

Në rastin e Kroacisë shumë gjëra janë ndryshe. Në axhendën e presidencës kroate katër janë çështjet kryesore në tryezën e diskutimit: migracioni dhe mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së, ndryshimet klimatike, Brexit dhe zgjerimi i BE-se me Ballkanin Perëndimor.

Në fund të Dhjetorit të vitit të shkuar, në Kroaci, u zhvillua raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ku kandidati i majtë i Partisë Social-Demokrate, Zoran Milanoviç mori rreth 33% të votave, i ndjekur nga Presidentja aktuale e Kolinda Grabar-Kitarović nga partia e djathtë ‘Bashkimi Demokratik Kroat’. Në raundin e dytë që do të zhvillohet në javën e parë të janarit, kandidati i majtë ka një avantazh të lehtë por kjo nuk do ndryshonte shumë në qasjen që ka Kroacia për për zgjerimin.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković në një intervistë për Euronews në fundin e 2019 shprehej se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i duhet dhënë shansi për çeljen e negociatave dhe se ky vendim do të ishte oksigjen në fillimin e rrugëtimit deri në anëtarësimin e plotë, jo përmbyllja e një procesi. Duket se ky qëndrim shkon në të njëjtën linjë me programin e prezantuar në 27 nëntor 2019 nga Presidentja e Komisionit të BE, Ursula van der Leyen: “ne duhet t’u tregojmë miqëve tanë në Ballkanin Perëndimor që ne ndajmë të njëjtin kontinent, të njëjtën histori, të njëjtën kulturë dhe ndajnë të njëjtin fat. Dyert tona mbeten të hapura”. Po ashtu Tonino Picula, Deputet i Grupit të S&D dhe Kryetari i Grupit të Punës në Parlamentin Evropian për Ballkani Perëndimor është shprehur se të 6 vendet e Ballkanit Perëndirmor nuk janë në të njëjtin stad dhe nuk po performojnë me të njëjtën shpejtësi, por pritet një vendim pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në këtë pranverë.

Nga ana tjetër, vetë Kroacia shërben si një model Par Excellence që vendet e rajonit duhet të ndjekin. Nga fillimi i viteve 90’ kur Kroacia ishte në luftë deri sot kur është kthyer qendër e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, me një sistem drejtësie të sigurt në hapat progresiste që ndërmerr tashmë si pjesë e unionit.

Gjithashtu, në një periudhë “mbyllje” për Evropën në tërësi është në interesin e vetë Kroacisë, zgjerimi në të gjithë dimensionet e saj për shkak të faktit se ndodhet në rrugën për anëtarësim në zonën Schengen.

Shqipëria nga ana e saj ka nisur lobimin për një vendim pozitiv në Samitin e Zagrebit në Maj, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka dërguar letër urimi homologut kroat Jandroković ku ndër të tjera thekson: “edhe pse Këshilli Europian nuk arriti të rekomandonte çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në  tetor, kjo nuk na ka dekurajuar, por përkundrazi, na ka mobilizuar më shumë dhe na ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë për integrimin europian të Shqipërisë”, ku ndër të tjera, përmend dhe reformat në të cilat vendi është përfshirë me kërkesë dhe të BE-së.

Përveç zgjerimit, presidenca kroate do të ketë sfidën e vështirë të Brexit më 31 janar, mbrojten e 1000 km të kufijve hyrës në BE si dhe axhendën e ndryshimeve klimatike. Ambicja për një vendim pozitiv të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përkojnë me Samitin e Zagrebit të majit të këtij viti.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

NEWSLETTER SIGN-UP

Subscribe to our mailing list