Prej shumë vitesh tashmë, edhe shoqëria shqiptare duket e përshtatur plotësisht me “zakonet” e jetës “borgjeze”. Tri dekada me sa duket kanë qenë të mjaftueshme jo vetëm për të krijuar e kristalizuar piramidën tonë të re shoqërore, por edhe për ti identifikuar fashat e saj hierarkike, me “veset” e një jetë të re në shoqërinë kapitaliste.
Fundjavat, festat fetare, shtëpia e plazhit, ajo e fshatit, pushimet verore e ato dimërore, skitë, jahtet, krocierat, shoping-u dhe shumë “maniera” të tjera krejt të panjohura deri në rënien e komunizmit, kanë fituar e po fitojnë gjithmonë e më shumë familjaritet, duke u bërë pjesë e jetës së përditshme të shumë qytetarëve të Shqipërisë. Një mënyrë dhe e re jetese, ka nisur që të lulëzojë gërmadhash, edhe në këto anë me pak fjalë.
Gara e shumëkujt për ti ekspozuar detajet gjithfarësh të kësaj jete, nëpër rrjetet sociale, na ndihmon për të krijuar një ide edhe më të qartë për këtë temë. Pak rëndësi ka nëse i përkasin shtresave të varfëra, të mesme apo të pasura. Nëse jetojnë në qytet apo në fshat. Janë rezidentë këtu, apo emigrantë jashtë. Shqiptarët po tregojnë që janë jo vetëm ambiciozë e me etje të pashuar për jetën, por edhe njerëz që përshtaten shumë shpejt, me të renë dhe zhvillimin. Duke u integruar dhe bërë në këtë mënyrë, ashtu si pa u kuptuar, qytetarë të botës.
Megjithëse mbetet ende sporti i tyre më popullor, shqiptarët janë çliruar nga të qenit “huliganë” apo “tifozë të çmendur” të politikës, si deri pak vite më parë. Ishte koha kur e përjetonin ndarjen në të majtë e në të djathtë, në mazhorancë e në opozitë, si të ishin pjesë e dy kampeve armiq për vdekje. Deri në atë pikë, sa ajo i ka kushtuar vendit edhe shumë viktima në kuptimin e parë të fjalës, brenda familjeve, vllazërive, miqësive, shoqërive, farefisnive, lagjeve, fshatrave e qyteteve kudo nëpër Shqipëri.
Tani me sa duket edhe për shkak të ndryshimeve të mëdha social ekonomike dhe kulturore, gjakrat janë ulur dhe mendjet janë ftohur. Shqiptarët kanë filluar të bëhen gjithmonë e më shumë, thjeshtë dhe vetëm sportdashës, apo fansa të politikës dhe zhvillimeve që e shoqërojnë atë. Por jo më shumë se kaq. Sepse, ndryshe nga dikur që kishin se çfarë të fitonin, tashmë duket se kanë se çfarë të humbin!
Ndaj, edhe më 30 Qershor kur lidershipi i “Opozitës së Bashkuar”, na tha se do të ishte “dita e qametit”, asgjë nuk ndodhi.
Edhe në korrik kur Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi thanë se nuk do të lejoheshin kryetarët e rinj të bashkive të futeshin nëpër zyrat që u dhanë qytetarët e tyre me votë, asgjë nuk ndodhi.
Edhe në gusht kur po përfundon betimi i Kryetarëve të Bashkive dhe konstituimi i këshillave të rinj bashkiakë kudo në territor, asgjë nuk ka ndodhur, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë. As dhunë. As përplasje civile. As luftë politike. As krisma. As armë. As sherre. E, as kacafytje. Asnjë këto dhe as detajet e skenareve më të errëta e më ekstreme të predikuara, nuk u pa që të zbatoheshin.
Jo vetëm kaq, por Kryeministri Edi Rama u shfaq i relaksuar duke notuar e duke dhënë intervista zbathur, në rivierën e jugut të Shqipërisë. Edhe Presidenti në detyrë Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, kryetare e LSI në opozitë, u shfaqën të qeshur e të dalldisur maleve, shkrepave e gërxheve të veriut.
Kryetari “de facto” i opozitës Sali Berisha, po na mungon me rekordet e tij botërore në not dhe në ecjet e gjata, me të cilat na gëzonte pa masë çdo vit! Sikundër na mungon edhe kryetari “de jure” i opozitës Lulzim Basha, i cili premtoi se në gusht do të takonte dhe riogranizonte kudo nëpër Shqipëri strukturat e PD, për ta rrëzuar si gjithmonë prej më shumë se 6 vjetësh qeverinë, në muajin e ardhshëm.
Turizmi përgjatë muajit gusht në Shqipëri, ka shënuar rekorde të reja, me flukset e vendasve e të huajve që kanë pushtuar detet, liqenet, lumenjtë, përrenjtë, pyjet, kodrat dhe malet për ti shpëtuar rekordit të të nxehtit që u shënua këto ditë. Edhe ndonjë re, ca puhiza erërash dhe ca pika shiu që ranë mbi qelqet e vendpushimeve tona, nuk ia dolën që ta meritonte diçiturën aq të njohur për shqiptarët; “gusht e gunë”!
E nëse gunat nuk u futën në punë nga shqiptarët që po pushojnë si dhe sa të munden për qejfin e tyre, nuk mund të thuhet e njëjta gjë, edhe për politikën. Gushti e bëri lidershipin e opozitës sonë jashtë institucionale, që të kuptojë edhe më mirë, se vjeshta politike pritet që të jetë një dimër i vërtetë për ta.
Pasi vetëm atëherë mbështetësit e tyre, do të kuptojnë se për shkak të udhëheqësve që i besuan qorrazi, kanë humbur tashmë çdo lloj pushteti. Ndaj, kanë nisur ti bëjnë gati që tani në gusht “gunat”. Dhe mirë bëjnë. Sepse të paktën e kanë kuptuar që tani, se do i duhen më shumë se çdo herë tjetër, për dimrin e gjatë e të ftohtë politik që i prêt përpara.