Si çdo qytetar shqiptar që dëshiron integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane ndjej keqarjdhe për vendimin negativ të Këshillit të Europës, i cili nuk i hapi dritën jeshile Shqipërisë për fillimim e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Me të drejtë shqiptarët ndihen të zhgënjyer dhe prerë në besë nga vendimi negativ, pasi më shumë se 94 % e tyre mbështesin rrugën europiane të Shqipërisë.
Bazuar në pritshmëritë tërësisht të merituara, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të kishin marrë aprovimin unanim të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për çeljen e negociatave, qytetarëve të të dyja vendeve ballkanike duhej t’u jepej një prespektivë europiane, pasi një hap i tillë progresiv do të shërbente për nxitjen e mëtejshme të refomave.
Nuk do të ndihesha fare i keqardhur për vendimin e Këshillit Europian, nëse do të ishin 25 vende kundër fillimit të bisedimeve dhe 3 pro. Mirëpo nuk ka sesi mos të mdihem i keqardhur kur është krejtësisht e kundërta, plot 25 vende anëtare të BE-së mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësim, me në krye Gjermaninë dhe vetëm 3 vende ju shprehën kundër.
Është e pakuptimtë vetoja që vendosi Franca për Shqipërinë, sepse kushtet apo detyrat e shtëpisë të vendosura nga BE-ja janë përmbushur të gjitha dhe këtë nuk e them unë, por e thonë njëzëri të gjithë liderët e Bashkimit Europian, duke filluar nga Presidenti i BE-së, Presidenti i Këshillit Europian, Komisioneri i Zgjerimit të BE-së e shumë e shumë të tjerë…
Pas vendimit negativ për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një deklarate shprehu zhgënjimin mbi këtë vendim të padrejtë, duke provuar kështu dhe njëherë se SHBA do të vazhdojë të jetë gjithmonë një nga aleatët strategjikë të Shqipërisë për të zbrapsur në këtë mënyrë cilëndo forcë që do të tentojë të përfitojë nga kjo situatë.
E kuptoj që mbase Shqipëria u gjend para këtij vendimi të BE-së në një kohë të papërshtatshme dhe mosmarrëveshjes të brendshme brenda unionit, pasi Franca kërkon një reformin të brendshëm të BE dhe një transformim të procesit të integrimit. Presidenti Macron e tha qartë pas përfundimit të takimit në Bruksel se: “Shqiperia dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë shumë progres, por nuk mjafton, pasi duhet ende shumë punë për të arritur hapjen e negociatave dhe reformat e ndërmara deri më tani janë të pamjaftueshme”.
Më vjen keq për definicionin e presidentit Macron, sepse askush nuk e ka thënë që nuk ka më punë dhe reforma për t’u ndërrmarë. Presidenti Macron më shumë se kushdo tjetër e di fare mirë se procesi i fillimi i bisedimeve për anëtarësim nuk do të thotë që vendet u anëtarësuan në BE dhe procesi përfundon aty, përkundrazi, një vendim pozitiv do të shërbente më shumë për ti inkurajuar të dyja vendet në avancimin dhe thellimin e mëtejshëm të reformave.
Shqiptarët sot më shumë se kurrë duhet ti jenë mirënjohës Gjermanisë dhe Kancelares Angela Merkel, e cila udhëhoqi personalisht me vendosmëri frontin pro Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe dha garanci se Gjermania do të vazhdojë të insistojë që të bëhet më e mira në raport me dy vendet e ballkanit.
Gjithkujt mund ti lindë pyetja me të drejtë. Po si shpjegohet që Gjermania është më pak e interesuar për situatën në Shqipëri sesa Franca?
Mbështetja e Gjermanisë ndaj Shqipërisë është treguesi më i qartë i progresit që ka bërë Shqipëria vitet e fundit. Çdo shqiptar që do ta kuptojë dhe lexojë ashtu si duhet vendimin e Gjermanisë, pa u ndikuar nga interesat e ngushta të politikës së ditës, e kupton fare qartë që kundërshtimi i Francës nuk ka të bëjë fare me atë çfarë Shqipëria ka bërë në raport me atë çfarë i është kërkuar nga BE për plotësimin e kushteve, por me situatën e brendshme që ka kapluar projektin europian sot.
Franca, ashtu sikurse e përsëriti dhe presidenti Macron është kundër afrimit të vendeve të reja në union, pa u reformuar Bashkimi Europian. Po të kthehemi në histori populli shqiptar asgjë nuk e ka fituar lehtë dhe historia e ka treguar që edhe pse nuk është treguar asnjëherë e drejtë me ne, në fund ne ja kemi dalë ashtu si do ja dalim edhe në të ardhmen.
Ndaj përtej zhgënjimit nga vendimi i fundit i Këshillit të Europës, të gjithë duhet ta kemi të qartë që për Shqipërinë dhe për qytetarët shqiptarë, alternativë e vetme mbetet Bashkimi Europian. Shqipëria pavarsisht situatës aktuale nuk duhet të dekurajohet, por duhet të vazhdojë rrugën e saj për avancimin dhe thellimin e reformave për ta ndërtuar Shqipërinë europiane.