Kur në Shqipëri flitet për aktivizimin politik të njerëzve menjëherë të vijnë në mendje militantët politikë të partive kryesore të vendit që marrin pjesë në tubime apo mitingje në mbështetje të verbër të tyre, gati si një tifoz në stadium. Perceptimi i drejtë, por edhe i mbështetur nga historia e aktivizimit politik shqiptar të çon padyshim drejt këtij modeli të parafytyruar nga gjithësecili, të jesh aktivist politik do të thotë që të mbështesësh njërën apo tjetrën parti pa rezerva.
Historia pothuajse 30-vjeçare e politikës shqiptare ka një varfëri të konceptit se çfarë është një aktivist, sesi trajtohet ai, se çfarë duhet të bëjë dhe pse merr pjesë në jetën publike. Nëse shohim sesi ky koncept është trajtuar nga partitë politike apo sesi njerëzit e kanë zhvilluar aktivizmin e tyre, kuptojmë që nuk ka qenë gjë tjetër veçse një koncept pjesëmarrje duke votuar dhe mbështetur gjatë gjithë kohës një parti politike për shkak të historisë familjare, shoqërore, krahinore, ose si një biznes ku jep diçka nga vetja dhe nga krahu tjetër pritet kompensimi.
Nga ana tjetër një pjesë e madhe e njerëzve jo të përfshirë politikisht, të cilët kanë preferuar të jenë elektorati gri, kanë përbuzuar në heshtje këta mbështetës të flaktë të partive dhe janë mënjanuar nga përfshirja politike. Paragjykimi për një individ të përfshirë në politikë në vendin ku jeton vazhdon të jetë akoma prezent si dikush i cili si meritë të vetme apo karakteristikë kryesore ka të qënit i këtij apo atij krahu politik.
Aftësitë e tjera njerëzore dhe intelektuale janë dytësore dhe vijnë pas etiketimit fillestar si socialist apo demokrat, i majtë apo i djathtë. Këto lloj paragjykimesh dhe përbuzje kanë sjellë shpesh herë që politikën tonë si aktivistë apo militant partie të përfshihen ndoshta shtresat më pak intelektuale dhe jo përfaqësuese të shoqërisë, pasi njerëzit të cilët mund të jepnin një kontribut akoma më cilësor, nuk e kanë gjetur veten në një ambjent të stigmatizuar nga shoqëria.
Kjo ka sjellë sigurisht, ndër vite, krijimin e një modeli të gabuar të aktivistit politik në Shqipëri, duke larguar kryesisht pjesën intelektuale në shumicën e qyteteve dhe duke lënë shteg dhe hapsirë të konsiderueshme për afrimin e njerëzve që partinë politike e shikonin si një “one stop shop”, ku një “kontribut” aktivizimesh dhe mbështetje, mund të rregullonte njëherë e mire jetën e tij dhe të afërmve të tij. Hapësira e krijuar ishte shumë e madhe, po ashtu nevoja e partive politike shqiptare për të patur numra, përkundrejt cilësisë, e cila shpesh reduktohej deri tek mjaftimi me Arsimin e Lartë.
U arrit deri aty se vitet e fundit proklamohej si një vlerë shumë e lartë nëse një nga aktivistët kishte edhe Arsimin e Lartë! Po idetë? Po përfaqësimi i komunitetit? Po çështjet që duhet të adresoheshin? Po ideologjia? Po vlerat njerëzore dhe arritjet profesionale apo akademike? Po formulimi i mendimit për një çështje? Po në fund fare a nuk duhet të ishte ky model i aktivistit që Shqipëria kishte nevojë?
Të gjitha këto do të dukeshin groteskte nëse do të adresoheshin në një forum partiak, ku njerëzit tashmë reduktoheshin në numra dhe numrat në vota. Ndërsa votat në fund në shpërblime apo “medalje nderi”. Por nga ana tjetër ne nuk mund t’i ikim rregullit të demokracisë, që numri i votave është ai që përcakton fituesin dhe në fund fare votat kanë rëndësi. Problemi është si arrihet për të mbledhur votat, duke shpërndarë ide dhe duke mbështetur përsonin pikërisht prej tyre, apo duke shpërndarë interesa dhe influencë?
Në shoqërinë shqiptare, partitë politike kanë nevojë dëshpërimisht për një model tjetër aktivisti politik. Kush mendon se duke qëndruar larg politikës apo të qënit një aktivist është krejtësisht e parëndësishme minimizon rendësinë e tij si qytetar dhe kotributin që mund të japë për përmirësimin e shoqërisë.
Model i një aktivisti në Europë apo në Shtetet e Bashkuara duhet të jetë modeli ynë i ardhshëm. Një aktivist i cili bëhet si fillim përfaqësues i komunitetit dhe ku jeton dhe merr vullnetin të përfaqësojë interesat e atyre njerëzve me të cilët bashkëjeton. Në shoqërinë tonë fillimisht aktivisti niset nga interesat personale, për të mos arrtitur deri në fund të përfaqësojë dhe interesat e komunitetit. Aktivisti që i nevojitet Shqipërisë duhet të jetë i lidhur pas idesë, pas propozimit, pa përfaqësimit dhe përmes një angazhimi qytetar në shërbim të përmirësimit të gjërave, e cila shkon paralelisht me përmirësimin e partisë.
Konceptimi biznesit dhe i përfitimit nëpërmjet agazhimit politik është drejt perëndimit në Shqipëri dhe shembujt e viteve 2009 e më vonë njëherë e mirë duhet të marrin fund, për të mirën tonë të përbashkët. Modeli i vjetër i aktivisitit që për interesat e tij apo në vërbëri të plotë mbështetjeje për partinë, pa vizion dhe pa ide, po i vjen perëndimi, nga ana tjetër i duhet dhënë goditja e fundit përmes promovimit të këtij modeli të ri.
Përmirësimi i qeverisjes dhe i konkurrencës brenda partive apo edhe ndërmjet partive, vjen si rrjedhojë e ndryshimit të modelit të aktivistëve që këto parti kanë brenda vetes së tyre. Është e vështirë për një parti që të jetë cilësore në qeverisje nëse nuk është cilësore në aktivizëm, është e vështirë të përfaqësojnë të gjithë interesat e qytetarëve, nëse brenda tyre kanë në shumicë njerëz që në radhë të parë përfaqësojnë interesat e tyre. Ndaj për këtë na duhet nje model i ri i aktivizmit politik në Shqipëri, një aktivizëm qytetar europian i mbështetur në përfaqësim dhe ide të reja.