Politikat që përfshijnë emigrantët dhe diasporën në totalin ligjbërës dhe vendimmarrës, për më tepër se gjashtë vite diskutohen pak, ose aspak në foltoren e parlamentit shqiptar. Përpjekja e parë u arrit me themelimin e një programi elektoral nga Partia Socialiste, program të cilin e hartoi Struktura Socialiste e Selanikut në Janar të vitit 2013 dhe ky program hodhi themelin për konsolidimin e proçesit të përfshirjes së emigrantëve, në instancat e larta të politikbërjes. Natyrisht që në bashkëpunim partiak, ky program teorikisht ka evoluar, por në praktikë, mbetet i vështirë në zbatueshëri, pasi pengesën më të madhe e ndesh në barrikadën nga opozita jashtëparlamentare tashmë, i ka vënë kësaj strategjie dhe projektligjit ku ndër të tjera, rol vendimtar do të ketë vota e emigrantit dhe diasporës në vendet pritëse, por dhe mënyra e përfaqësimit politik nga vetë emigrantët në parlamentin shqiptar dhe jo vetëm.
Si një vend që emigroi spotanisht, natyrisht Shqipëria vitet e para të tranzicionit, pjesën emigratore e konsideroi shtyllë ekonomike dhe vetëm. Politikat inekzistente dhe famëkeqe në vitet e para të tranzicionit politik shqiptar, politikat nacionaliste të ndjekura sidomos me vendin fqinj grek, u pasqyruan në mënyrën se si kjo shtresë e popullsisë e emigruar jashtë, u trajtua nga fqinjët. Jo nga populli fqinj, këtë dua ta veçoj, por nga ligjvënësi dhe ekzekutivi. Sot mund të flasim për marrëdhenie të normalizuara në një farë mënyre, por me probleme ekzistente në të njejtën kohë, përsa i përket normalizimit të proçeseve të ligjshmërisë që akoma emigranti shqiptar diskuton mbas 30 vitesh emigrim, ndërkohë që duhet të ishte i mbrojtur nga statusi i tij dhe jo vetëm. Mbi të gjitha duhet të ishte i mbrojtur nga shteti i tij.
Në programin elektoral të vitit 2013, një nga pikat nevralgjike ishte përfaqësimi i emigrantëve në përfaqësitë diplomatike shqiptare nga individë brenda gjirit të emigracionit, me integritet, me background arsimor, akademik dhe social të shkëlqyer. Individë që duhet të kishin njohuri të gjëra në fushën politike të emigracionit dhe proçeset integruese. Ndër të tjera, këta individë duhet të ishin edhe plotësisht të integruar në shoqërinë greke. Fillimisht, kjo përqasje u prit me entuziazëm. U bënë disa përpjekje nga Minsitria e Jashtme dhe më pas në vazhdim mbetën po aty. Për të ardhur sot e përmendur kjo përqasje në Strategjinë për Diasporën, me një shtrirje kohore nga viti 2018 deri në vitin 2022 të paktën! Pra përfshihet në planin strategjik, por nuk dihet afati kohor i saktë i zbatimit. Ndërkohë që koha ecën, me pasojë, sidomos për emigrantët e Greqisë, të krijohet një hendek i pakapërcyeshëm, përsa i përket mënyrës me të cilën shumë herë qytetarët shqiptarë, përpiqen t’u japin zgjidhje problemeve burokratike.
Përfaqësitë Diplomatike, vitet e fundit, tepër të afërta me emigrantët në aspektin kulturor dhe atdhetar, në shumë raste nuk mund të ofrojnë ndihmën specifike që mund të kërkojë çdo qytetar i yni i ekspozuar përpara ligjit. Nëse vërehet një lëvizje përsa i përket gjallërisë së aktiviteteve kulturore dhe vlerësimit me tituj nderi për individë të veçantë në komunitetin shqiptar nga njëra anë, nga ana tjetër, përsa i përket zgjidhjeve të problemeve nga më të thjeshtat deri tek më madhoret me të cilat mund të përballet qytetari shqiptar në emigracion, përfaqësitë tregojnë ngërç, jo sepse nuk duan, por sepse nuk munden. Profili i nënpunësit diplomatik të ardhur nga Tirana, shumë herë mund të jetë i pasur, por jo për çështje të cilat çdo ditë preokupojnë komunitetin tonë jashtë atdheut.
Ligjet, amendamentet , urdhëresat që mund të ndryshojnë brenda një nate, kurrësesi nuk janë në dispozicion të çdo emigranti, me rezultat shumë herë të bëhen pengesa në proçesin integrues, që tashmë duhet të ishte i padiskutueshëm. Zgjidhja më e mirë e mundshme në shumë raste, është bashkëpunimi me avokatë grekë, kostot e shërbimit të të cilëve kalojnë çdo imagjinatë edhe pse në thelb bëhet fjalë për çështje të rëndomta. Pikërisht ketu, lind pyetja dhe propozimi: Pse të mos disponojmë në përfaqësitë tona diplomatike, individë që njohin emigracionin, proçeset integruese, gjuhën vendase në nivel të shkëlqyer, të cilët do të jenë në shërbim të komunitetit jo vetëm si mbështetës të aktivitetit kulturor, patriotik por edhe si mbështetës kryesore përapara ekzekutivit të vendit pritës?
Përpara çdo strategjie, emigranti nuk duhet të trajtohet vetëm si pjesë e Kombit, pra ruajtësi dhe shpërndarësi i gjuhës dhe kulturës, njohësi i mirë i së kaluarës së lavdishme, pjesëmarrësi i dalluar në aktivitet e diasporës, me karakter kombëtar.
Emigranti nuk duhet të mbetet i papërfaqësuar dhe vulnerabël, siç ndodh rëndom tani.
Emigranti është punëtor, biznesmen, është student i shkëlqyer, familjar dhe mbi të gjitha njeri me të drejta themelore. Si i tillë , duhet të bëhet në mënyrën më urgjente të mundshme pjesë e shtetit . Pra të votojë dhe të votohet, të perfaqësojë dhe të përfaqësohet nga gjiri i tij në çdo instancë shtetërore.
Le të fillojmë me përfaqësitë diplomatike dhe ku i dihet, një ditë mund të ndryshojë edhe mentaliteti i tyre përballë komunitetit që për atdheun nuk identifikohet vetëm me çertifikata, pasaporta dhe festa nostalgjike. Ky komunitet është shumë si Ambasador pa titull dhe protokoll, nga ata që dinë të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, solidaritetit dhe miqësisë së mirë.