EMIGRANTI I DIASPORËS APO DIASPORA E EMIGRANTIT?

Sa i fuqishëm apo i dobët do të ndihej termi “emigrant” përpara tërmit “diasporë”. Do të ishte e mundur që këto dy terma të bëhen sinonime të njëra-tjetrës? Kurrësesi jo, sepse ka një ndryshim të madh në përbërjen dhe historikun e diaspores dhe emigracionit.

Diaspora është derivat i emigracionit, rrjedhojë e lëvizjeve të shumta të masave të një popullsie, drejt një territori të ndryshëm shtetëror, nga ai ku u lind dhe u rrit, ose nga i cili nuk u lind por u ushqye me gjuhën traditat dhe zakonet. Në raste të veçanta ky komunitet, që shpërngulet të jetojë në një shtet tjetër, me ndërgjegje vendos të integrohet plotësisht në shtetin pritës, por duke mbartur brenda tij gjuhën, traditat dhe zakonet e vendit mëmë. Kështu kjo pjesë e shoqërisë, e integruar dhe me të drejta dhe detyra të përcaktuara dhe të zbatuara me saktësi, por jo e asimiluar krijon diasporën e shtetit pritës. Raste të diasporës shqiptare, kemi në Amerikë, në Australi, në Turqi, në Itali me komunitetin Arbëresh dhe në vende të ndryshme të Evropës ku emigruan të pakën 100 vite më parë, shqiptarë nga të gjitha trevat.

Por ky derivat nuk mund të barazohet sot me emigracionin, krijoi vetë brezin e emigrantëve që nuk mund të identifikohen si diasporë dhe ndërkohë krijoi dhe një brez të vogël të asimiluarish, të cilët nuk identifikohen as me njërën kategori dhe as me tjetrën. Sidomos kur i referohemi emigrimit të shoqërisë shqiptare postkomuniste, nga ana politike dhe sociologjike, është e domosdoshme të ndajmë emigrantin nga diaspora, sepse emigranti për vetë vulnerabilitetin që e karakterizon, qëndron i prekur përballë politikave që ndiqen për diasporën.

Emigracioni, në veçanti ai në tërritorin evropian, vitet e fundit po përballet me politika eksperimentuese, që vijnë si rezultat i shtetit të thellë dhe fuqizimi i nacionalizmit klasik, përballë ndërkombëtarizimit që rrymat politike demokratike, mundohen të lançojnë në Evropë dhe më gjerë. Fuqizimi i patriotizmit radikal dhe rezistenca ndaj diversitetit në territorin evropian shprehet qoftë nëpërmjet ndërmarrjes private të lançimit të ideve nga grupime të cakutuara, qoftë dhe nga politikat konservatore të cilat pesëvjeçarin e fundit po bëhen më ofensive përballë emigrantit në përgjithësi.

Tashmë emigranti nuk kërkon më ndihmën e njëanshme te shtetit pritës, por edhe të shtetit mëmë. Që do të thotë, politika emigratore të bazuara në faktorë dhe rrjetë mbrojtëse sociale.

Përsa i përket komunitetit shqiptar që jeton në Greqi 30 vitet e fundit, komunitet emigrator i pastër, pra i themeluar dhe formuar ekskluzivisht nga emigrimi i shoqërisë shqiptare postkomuniste, një komunitet që u integrua në mënyrën më të thjeshtë dhe normale në shoqërinë greke, me familje të shëndetshme, me fëmijë që studiojnë dhe punojnë, me pjesëmarrje në jetën shoqërore dhe politike të vendit, pesëvjeçarin e fundit po përjeton peshën e politikave emigratore, me ndryshime rrenjësore ligjesh dhe amendamentesh nga ligjvënësi, duke vënë në diskutim të vetkuptueshmet, jetesën dhe bashkëjetesën të bazuar tek të drejtat humane, por edhe detyrat. Jo pak herë ligjet janë treguar të ashpër, duke u bërë shkak për ndarje për kohë të gjatë familjesh. Bashkëshortë që jetojnë të ndarë, prindër që jetojnë larg fëmijëve. Ligje që cënojnë statusin e emigrantit në përgjithësi duke shkaktuar humbje ekonomike dhe stres për ekzistencën brenda familjes. E theksoj fjalën “emigrant” e cila fjalë parqitet e brishtë përpara ngurtësisë që paqyron ligjvënësi, por edhe ligjzbatuesi, që nuk është tjetër veçse nënpunësi i administratës publike, me një sjellje shumë herë të çuditshme dhe aspak korrekte përballë më të dobtit. Në këtë aspekt, statusi i emigrantit qëndron i lëkundshëm përballë ligjit, duke krijuar kështu një komunitet brenda komunitetit, i cili përpos të gjitha rezultateve të larta shoqërore dhe ekonomike të cilat ka arritur të shënojë në rrugëtimin ë tij për integritet, rrezikon të jetë emigrant i përjetshëm, më të drejta themelore të pambrojtura dhe akoma më keq të cënuara, në të shumtën e herëve pa shkak. Këtë pjesë vulnerabël, e përbëjnë individë që i përkasin moshës së tretë, pra brezi i parë i emigrantëve, ata që hapën rrugën dhe që me kontributin e tyre social dhe ekonomik, mund të quhen edhe themeluesit e “diasporës”.

Por vulnerabël është edhe një grupmoshë relativisht e re, brezi i dytë, që shumë herë kërkon të krijojë familje me sytë nga mëmëdheu. Procesi i bashkimit familjar, gjithmonë i vështirë, tashmë është kthyer në një makth të vërtetë. Nuk janë të pakta rastet e mospranimit të kërkesave për bashkim, duke destinuar familjet dhe çiftet të jetojnë të ndarë në të dy anët e kufirit. Rastet janë nga më të ndryshmet dhe të shumta. Tashmë nuk ndjehet më e nevojshme vetëm mbrojtja institucionale greke, por edhe ajo shqiptare. Politika emigratore duhet të jetë po aq e fuqishme sa ajo për diasporën. Diaspora përbën resurs në një hapësirë kohore të pakufizuar, emigranti përbën resurs në një hapësirë kohore tepër të afërt, ndërkohë që është akoma në një pozicion tepër delikat dhe përbën sfidë për institucionet dhe politikat emigratore shqiptare. Më konkretisht, nga Ministria e Shtetit për Diasporën, ku janë ndërmarrë një sërë nismash dhe një Strategji konkrete për Diasporën në diapazonin kohor 2018-2024, përmenden edhe disa pika përsa i përkët politikave emigratore dhe kriijimit të Nënkomisionit për Diasporën dhe Emigracionin i cili vepron në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Politikën e Jashtme dhe është përgjegjës për propozimin, shqyrtimin dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit dhe të politikave shtetërore për diasporën dhe emigracionin.
Tepër premtues krijimi dhe funksionimi i këtij Nënkomisioni, por akoma më domethënës nëse do të ketë pjesëmarrje edhe nga përfaqësitë politike të emigrantëve.

Në Planin e Veprimit të Strategjisë Kombëtare pikë nevralgjike përbën edhe rivlerësimi i akteve ligjore ekzistuese në fushën e emigracionit për zgjerimin e sferës së mbrojtjes së komuniteteve shqiptare jashtë vendit në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ndër të tjëra kjo strategji, parashikon përfshirjen e trupave diplomatike shqiptare të akredituar në vëndet pritëse, si një kritik ndërlidhës ndërmjet vendit pritës dhe emigrantit, si normalizues i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por edhe si një shtyllë mbështetëse e komunitetit shqiptar, me informacionin, mbulimin ligjor dhe mbrojtjen në rastin e parë të shkeljes së të drejtave humane. Trupat diplomatike parashikohet të kenë nënpunës të trajnuar dhë të informuar mbi politikat emigratore, nënpunës të cilët akoma edhe tani mungojnë dhe që në fakt duhet të ishin sot e shumë vite më parë në shërbim të qytetarit shqiptar.

Duke mbyllur, emigracioni është akoma një fenomen social me shumë aspekte pozitive për shoqërinë shqiptare në tërësi. Është themeli bazë i diasporës dhe si i tillë duhet parë me prioritet, përsa i përket politikave të shtetit mëmë, ligjvënësit dhe ligjzbatuesit, që në rastin konkret mund të ishin nënpunësit diplomatikë të akredituar në shtetet pritëse. Sot statusi delikat i emigrantit, më shumë se kurrë kërkon përqëndrim politik dhe social. Kjo pjesë e popullsisë e larguar tashmë 30 vite, meriton të ketë vlerësimin që meriton në spektrin politik dhe shoqëror. Është një e treta e popullsisë shqiptare, me të drejta dhe detyra, e barabartë përpara ligjit dhe kushtetutës, me respekt dhe dashuri përballë vendlindjes.

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

NEWSLETTER SIGN-UP

Subscribe to our mailing list