Datë: 27- 29 Prill 2018, Vlorë

Në Fokus: Vlerat dhe Rrënjët e Social Demokracisë

Trajnerët: Znj. Anne Graumans dhe Z. Thijs Kirckhoff nga Instituti Max van der Stoel

 

Në datën 27 Prill 2018 Fondacioni “Qemal Stafa”, organizoi Akademinë e dytë Politike në rang rajonal dhe këtë herë ndalesa ishte në qarkun e Vlorës.

Nën kujdesin e Drejtoreshës Ekzekutive të Fondacionit “ Qemal Stafa”, Znj. Teuta Vodo dhe me bashkëpunimin e Institutit Max van der Stoel, Akademia këtë herë trajnoi të rinjtë lidhur me vlerat dhe rrënjët e social demokracisë.

Trajnerët Anne Graumans dhe Thijs Kirckhoff, nga Instituti Max van der Stoel ishin ata që ofruan eksperiencën e tyre për të trajnuar të rinjtë e Vlorë lidhur me konceptet bazë të socialdemokracisë si liria, drejtësia, barazia dhe solidariteti.

Anne Graumans është angazhuar në politikë dhe tashmë menaxhon kompaninë e saj.

Thijs Kerckhoffs është njohës i politikave të Parlamentit Europian dhe i politikave të punësimit dhe çështjeve sociale pasi ka shërbyer si këshilltar i Zëvendësministrit të çështjeve Sociale dhe Punësimit në Hollandë.

Gjatë Akademisë Politike u bashkuan z. Fatmir Velaj, deputet i rrethit të Vlorës, i cili ndau perspektivën e tij lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe z. Shpati Kolgega, zv/Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i cili motivoi të rinjtë duke i dhënë një pasqyrë të rrugëtimit të karrierës së tij si i ri në politikë. Ai theksoi se Fondacioni është një mundësi dhe fillim shume i mirë për të hyrë në botën politike, duke e shfrytëzuar me pasion,vullnet dëshirë dhe përkushtim.

Përgjatë leksioneve të Akademisë Politike, dy trajnerët zhvilluan leksione mbi proçesin e politikbërjes, përcaktimin e problemeve dhe mënyrave të duhura të menaxhimit të problemeve drejt qasjes më të mirë europiane.

Gjatë ditës së tretë dhe të fundit, u zhvillua një diskutim se pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit  Europian. Ky diskutim u bë në bazë të punës në grupe, ku dy prej grupeve përfaqësonin interesat e Bashkimit Europian dhe grupi tjetër i mbetur përfaqësonte interesat e Shqipërisë për përfshirjen në Bashkimin Europian.

Në ditën e tretë, u bë edhe shpërdarja e certifikatave për të rinjtë pjesmarrës nga Znj. Vodo.

Për të vlerësuar dijet e përthithura gjatë Akademisë Politike, pjesmarrësit iu nënshtruan një testimi. Studentëve më të mirë do t’i ofrohet një vizitë studimore në Bruksel, në Parlamentin Europian gjatë muajve në vijim.

 

Share.