Në korrik 2017, Samiti i Triestes lançoi idenë e krijimit të Zonës Rajonale Ekonomike, si një instrument për integrimin e mëtejshëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë (BP6). Samiti shërbeu për të riafirmuar angazhimin e BE-së në procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një kohë kur zgjerimi i mëtejshëm i BE-së vihet në dyshim gjerësisht si nga vendet kandidate por edhe vetë brenda BE-së. Zona Rajonale Ekonomike e Ballkanit Perëndimor synon zhvillimin e një zone të përbashkët ku mallrat, shërbimet, investimet, kapitali financiar dhe human, mund të lëvizë pa pengesa.

Ka një numër përfitimesh që rrjedhin nga krijimi i një zone të tillë ekonomike në rajon. Së pari, ZRE zhvillon hartimin e politikave që nxisin rritjen ekonomike dhe promovojnë bashkëpunimin midis ekonomive rajonale dhe BE-së. Së dyti, integrimi më i thelluar ekonomik do ta bëjë rajonin më tërheqës dhe konkurrues. Krijimi i ZRE transmeton sinjal të fuqishëm se BP6 është një treg i rreth 20 milion konsumatorëve me potencial të madh e të pashfrytëzuar, duke tërhequr më shumë Investime të Huaja Direkte (IHD), duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke krijuar vende pune. Krijimi i një zone të tillë ekonomike do të lehtësojë hyrjen e mallrave rajonal në tregjet europiane, përmes përmirësimit të aftësisë prodhuese për të adoptuar standardet e BE-së. Me Procesin e Berlinit dhe zhvillimin e ZRE, ambicia politike e BE për rajonin është rritur dhe kjo do të reflektohet në burime financiare të nevojshme për të mbështetur projekte konkrete dhe në përputhje me strategjitë e akorduara.

Megjithatë, shpejtësia e procesit të integrimit në BE, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka qenë relativisht e ngadaltë. Me përjashtim të Serbisë dhe Malit të Zi, të identifikuar si vende për një anëtarësim të mundshëm në 2025, për vendet e tjera kjo perspektivë duket se është larg. Sidoqoftë, rajoni ka implementuar masa “ambicioze” në të gjitha dimensionet që mbulojnë zonën rajonale ekonomike. Për herë të parë në vite, tregtia brenda rajonit po rritet. Në vitin 2017, tregtia ndër-rajonale u rrit me më shumë se 13% në krahasim me vitin 2016. Kjo tregon që bizneset po kërkojnë gjithnjë e më shumë mundësi të reja për t’u zgjeruar në vendet fqinje. Ndërkohë, tregtia midis Ballkanit Perëndimor dhe BE vazhdon të rritet (19% nga 2017 në 2018). Përveç lëvizjes së mallrave, lëvizja e lirë e  qytetarëve, është një parakusht thelbësor për integrimin ekonomik të rajonit. Megjithë liberalizimin e tregtisë, rajonit i mungon lëvizshmëria e kapitalit human pasi Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova kanë ende procedura të zgjatura vizash për qytetarët e tyre.

Në përgjithësi, zbatimi i zonës ekonomike rajonale është duke lehtësuar aktivitetet e biznesit në rajon dhe duke rritur potencialin e tyre për tregti dhe investime. Në dimensionin dixhital, palët kanë iniciuar një Agjendë Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, duke rënë dakord për uljen e kostove të roaming në rajon dhe për të forcuar kapacitetet e sigurisë kibernetike. Sidoqoftë, zhvillimi i një zone të tillë të lirë, edhe pse është mbështetur fuqimisht, mund të ketë disa kosto të cilat nëse nuk menaxhohen siç duhet, mund të kenë efekte të mëdha për ekonomitë kombëtare të BP6. Në këtë këndvështrim, sektori privat, përmes shoqatave të ndryshme të bizneseve në Shqipëri, aktualisht po tërheq vëmendjen për ndikimin që ZRE mund të ketë tek prodhuesit vendas.

Integrimi i tregut dhe klima e investimeve në Ballkanin Perëndimor është e brishtë për shkak të konfliktit afatgjatë dhe problemeve midis vendeve, sfidat politike dhe ekonomike, konkretisht marrëdhëniet politike të pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë. Struktura prodhuese në rajon është e mbizotëruar nga ndërmarrjet e vogla, avantazhi krahasues i të cilëve është në produktet me intensitet teknologjik të ulët ose mesatar, dhe ato janë të specializuara në produkte me vlerë të shtuar të ulët. Në rajonin e Europës Jug-Lindore, nga 100 ndërmarrje të mëdha, vetëm 11 janë nga BP6. Ekziston një buxhet i ulët për kërkim dhe zhvillim, i përkthyer në një numër zero të patentave ndërkombëtare të ekskluzivitetit. Përshpejtimi i reformave ekonomike, bashkëpunimi më i ngushtë brenda vendeve si dhe hartimi i një instrumenti të përbashkët të fondeve rajonale, janë të nevojshme të përfshihen në “axhendë” në mënyrë që ZRE të bëhet një realitet i prekshëm për BP6.

Në nivelin kombëtar, institucionet shqiptare duhet të punojnë më tej drejt një përgatitje më cilësore të projekteve të infrastrukturës, duke filluar me përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit të ministrive të linjës. Përgjatë periudhës së planifikimit të financimeve, duhen lënë hapësira fiskale për të financuar, amortizuar dhe monitoruar projektet kombëtare të infrastrukturës. Kjo mund të japë një impuls të ri për procesin e zgjerimit dhe integrimit. Së fundmi, kontributi i shoqërisë civile dhe rinisë, mbetet një nga mjetet kryesore që Shqipëria duhet të përdorë për të arritur objektivat e dakorduara për rezultate efikase në bashkëpunim të ngushtë me strukturat qeveritare.
Intensifikimi i bashkëpunimit rajonal me BE është thelbësore. Në kontekstin e Procesit të Berlinit, përbërësi thelbësor për suksesin e bashkëpunimit rajonal ka të bëjë me mbështetjen e fortë politike në drejtim të vizionit të përbashkët për zhvillimin e BP6 dhe në inicimin e mekanizmave dhe platformave të përbashkëta. Në këtë këndvështrim bashkëpunimi mes BP6, e kombinuar me mbështetjen e BE-së dhe vendeve anëtare, mbeten një parakusht, për të rezultuar e suksesshme.

Share.