Refuzimi për marrjen e një vendimi nga ana e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në tetor për të hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një tronditje e fortë për koshiencën e udhëheqësve por edhe qytetarëve të vendeve tona. Një shkundje e realitetit në të cilin po zhvillohen reforma, marrëveshje të vështira, sakrifica të mëdha, përmirësim i kushteve të jetësës për njerëzit dhe plotësime kushtesh me kërkesë të Komisionit Europian. E në fund fare pyetja që lind është e thjeshtë: Për kë i bëjmë të gjitha këto? Për shtetet tona, për qytetarët tanë apo për Bashkimin Europian?
Kemi kuptuar për herë të parë se në fakt të gjitha këto reforma dhe ndryshime që kërkohen në vendet tona, ne deri më tani, i kemi bërë për shkak se janë kërkuar nga BE, për hir të progresit në integrim dhe afrimit me ta, e jo për njerëzit, për të përmirësuar jetesën e tyre në Ballkan. Dhe këtë të mirë e kishte ky refuzim, një rikthim tek vetja. Një ndërgjegjësim për të kuptuar që të gjitha ndryshimet ne bëjmë, duhet t’i bëjmë për veten tonë. Po sikur Bashkimi Europian të mos ekzistonte? Po sikur presioni nga “lart” të mos ekzistonte a do bëheshin aq shpejt sakrifica dhe reformat e mëdha? A do të ishte bërë ajo marrëveshje mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë apo Reforma në Drejtësi në Shqipëri? Afërmendsh përgjigja do të ishte për të dyja jo.
Ndaj, një falenderim për Emmanuel Macron, i cili me këmbënguljen e tij, në një akt dekurajues për dy vendet e refuzuara, por jo vetëm, pasi 4 të tjera janë në hapa të ndryshëm dha një sinjal të fortë se duhet tashmë të shikojmë nga njëri-tjetri. Edhe Serbia dhe Mali i Zi pavarësisht se janë më përpara në proçesin e integrimit morën një mesazh se tashmë i duhet që të qëndrojnë në vendnumëro, pasi Bashkimi Europian duhet më së pari, që të reformohet dhe më pas të shikojë strategjinë e zgjerimit sërish. Ëndrra europiane e Ballkanit Perëndimor u kthye sa hap e mbyll sytë në një makth, por nga ana tjetër ka hapur një rrugë të re, atë të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit duke ndërvepruar dhe punuar me njëri-tjetrin, për hir të vetes sonë.
Dhe ky do duhej të ishte qëllimi ynë që nga fillimi, t’i bënim ndryshimet dhe reformat për veten tonë dhe jo për hir të BE-së, të intensifikonim përpjekjet për zhvillimin të qëndrueshëm të rajonit, pa pritur nga ana tjetër presionin e fortë të BE për ndryshime të shpejta dhe shpesh pa asnjë shpërblim.
Iniciativa e Novi Sad-it e më pas samiti në Ohër, i cili pritet të vazhdojë në Durrës në dhjetor, është një përgjigje e shpejtë e situatës së re ku ndodhet Ballkani Perëndimor sot. Të gjendur në udhëkryq, tre liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilët gjithnjë kanë qenë të ulur anash me njëri-tjetrin në tryezën e BE, tashmë vendosën të kthejnë karriket dhe të drejtohen nga njëri-tjetri për të filluar një rrugë të re bashkëpunimi. Të dekurajuar, natyrshëm të zhgënjyer nga venjdimi i tetorit, nuk pritën gjatë për të filluar një etapë të re për Ballkanin Perëndimor.
Në rajonin tonë ku disa probleme mbeten ende akute siç janë mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, skepticizmi mbetet i madh për këtë zhvillim të ri. Por a kemi rrugë tjetër? A është kjo zgjidhja e duhur dhe që duhet të ishte bërë prej kohësh?
Ku do të ishim sot nëse ky lloja bashkëpunimi, në këtë nivel që është ngritur sot, duke diskutuar lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave e shërbimeve, do të ishte bërë vite më parë? Një situatë hipotetike është e vështirë se çfarë mund të kishte ndodhur, por nëse premisë është që të kishim patur liderë jo-nacionalistë, por bashkëpunues dhe me qëllimet për të parë nga e ardhmja dhe jo e kaluara, gjasat do të ishin që sot rajoni jonë do të ishte në një pozitë shumë më të mirë social-ekonomike.
Por më mirë vonë sesa kurrë! Ky bashkëpunim është shpresa e re po ashtu edhe për qytetarët e vendeve tona. Statistikat tregojnë që në të gjitha vendet e rajonit pjesa dërrmuese e popullsisë dëshiron integrimin në Bashkimin Europian. Por pas mbylljes së derës do duhet të ketë një shpresë dhe një ëndërr tjetër për qytetarët, por edhe një shtysë për të vazhduar proçeset e nisura tashmë të reformave dhe ndryshimeve. Duhet një “kalë” që të tërheqë “karrocën e madhe” të problemeve Ballkanit sot. Dhe “kali i ri” është gjendur. Ai pritet të shërbejë si forca tërheqëse për vitet në vazhdim, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me integrimin në BE.
Llogaritë e pa mbyllura ende në rajonin tonë, jo detyrimisht janë pengesë për rritjen e bashëkpunimit, por nga ana tjetër nuk mund të lihen në harresë dhe të fjetura, pasi herët ose vonë do të shpërthejnë në tryezat e liderave tanë. Paralelisht me rritjen e bashkëpunimit duhet të shtrohen edhe problemet dhe të gjenden po ashtu zgjidhjet afatgjatë të ngërçeve të cilat as Bashkimi Europian nuk mundi dot që t’i zgjidhë për shumë vite.
Deri më sot secili nga vendet tona ka uruar ose dëshiruar që fqinjin ta shohë sa më keq, duke supozuar se kështu do të jemi më të fortë ne vetë. Por e kundërta është e vërtetë. Sa më mirë të jeni fqinjët tanë, aq më mirë do të jemi edhe ne vetë, pasi zhvillimi dhe mirëqenia do të ndikojë në ekonominë dhe zhvillimin e gjithësecilit. Duke e parë me këtë sy, bashkëpunimi rajonal nuk është gjë tjetër veçse e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, forca tërheqëse për të vazhduar përpara, e po ashtu mënyra sesi Bashkimi Europian do ta shohë me tjetër sy integrimin e një rajoni i cili ka vendosur tashmë të zhvillohet mes vetes.