Është e drejtë universale të mendosh si qytetar me shpirt të lirë, siç është e domosdoshme të respektosh mendime dhe arsyetime që dallojnë nga vizioni apo bindja individuale, lidhur me ngjarje e çështje të caktuara që prekin interesin dhe ndjeshmërinë e publikut.
I tillë padyshim është edhe rasti i debatit që po zhvillohet për teatrin kombëtar, nisur që një vit më parë. Një debat legjitim, sa kohë teatri si koncept kulturor fillimisht e pastaj si ndërtesë, është pasuri shpirtërore që i përket të gjithëve.
Që në fillim dua të pohoj se personalisht nuk përfshihem ndër ata qytetarë që anatemojnë artistët protestues. Përkundrazi, mendoj se në një shoqëri të pazhvilluar si kjo e jona artistët janë ajo pjesë e brishtë e shoqërisë e cila presupozohet se përfaqëson elitën e jetës artistike që duhet të gëlojë në një habitat shoqëror, aq më shumë në një realitet të asfiksuar nga helmi dhe shterpësia e politikës, që me shfaqjet e veta teatrale konkuron çdo ditë shfaqjet e teatrit të vërtetë, duke patur si protagonistë aktorë. Këta aktorë shpresojne te terheqin qytetarë që mund t’i bashkohen një kauze të instrumentalizuar.
Pavarësisht këtij synimi të lexueshëm për ata që logjikojnë është aspak e çuditshme që disa projekte si ky i ndërtimit të një teatri të ri të hasin vështirësi apo kundërshti të forta lidhur me formën apo natyrën e zhvillimit. Në fund të fundit, kjo ka lidhje me vizionin e secilit, prandaj çdo këndvështrim duhet respektuar me kujdesin dhe etikën e nevojshme.
Të tilla debate janë të shëndetshme dhe dëshmojnë për dinamikën e bashkëjetesës në kryeqytetin e përfshirë në një kurbë transformimi pozitiv (në shumicën e rasteve). Në këtë prizëm, është demokratike që qytetarët të ndajnë pikëvështrime të ndryshme lidhur me fytyrën që Tirana a çdo qytet tjetër i Shqipërisë duhet të ruajë me fanatizëm apo rifitojë me kurajo, duke negociuar në ndonjë rast me nostalgjinë e së shkuarës, gjithmonë në ekuilibër rigoroz me trashëgiminë dhe peisazhin historik e natyror që qyteti ka.
Një përshkrim të mrekullueshëm për kujtesën historike të godinës së teatrit kombëtar e ka bërë studiuesi Aurel Plasari, rreth një vit më parë. E rilexova edhe njëhërë atë shkrim të bukur për të mos iu larguar shumë dimensionit nostalgjik, para se të shprehja publikisht këtë qëndrim. Krijova bindjen se kujtesa e pasur e historisë kulturore, artistike dhe sociale mishëruar në ekzistencën e kësaj ndërtesë gjatë tetë dekadave të fundit, duhet me doemos të ngelet e gjallë për memorien kolektive brenda një hapësire të dedikuar muzeale, si pjesë e integruar në ndërtesën e një teatri të ri.
Mbështes idenë për ndërtimin e teatrit të ri. Ndaj mendimin se ndërtesa e re e teatrit duhet të ofrojë patjetër lidhjen e nevojshme me historinë dhe të shkuarën nostalgjike, por duke siguruar së pari parametrat e nevojshëm funksionale që sot i mungojnë në çdo aspekt godinës ekzistuese. Këto dy elementë duhet të jenë të formësuara në një objekt modern arkitektonik, që garanton zhvillimin cilësor të veprimtarisë artistike në kushte komode e të merituara për artistët në radhë të parë, por edhe për audiencën kombëtare dhe atë të huaj.
Në fakt problemi në fjalë nuk është problem i artistëve. Për ta paralelizuar me një krahasim jo aq të ngjashëm nga ndjeshmëria, është thuajse njësoj sikur të prishet një spital i vjetër për të ndërtuar një të ri. E për këtë të mos jenë dakort doktorët bashkë me infermierët. Pra, nuk bën sens. Në fakt teatri i ri është një ndër rastet e rivlerësimit si koncept urban dhe përmirësimit me standard i jetës në kryeqytet.
Unë e mirëkuptoj edhe kur nuk e pelqej monologun e një artisti që shpërthen para policëve, të cilët në gjykimin tim e rrethuan pa arsye teatrin në një ditë e cila nuk ishte caktuar si ditë aksioni për prishjen e godinës ekzistuese. Prezenca e forcave të policisë mund të jetë një mënyrë e detyruar, por jo e dëshiruar, në zbatim të një vendimi të marrë nga qeveria qëndrore dhe vendore, që janë të mandatuara për të marrë shumë vendime dhe realizuar projekte që potencialisht mund të përfaqësojnë një vizion të ndryshëm nga ai i një minorance të caktuar, siç është rasti i grupit të artisëve që janë kundër prishjes së teatrit aktual.
Parë me të njëjtin kënd shikimi por nga ana tjetër, njësoj duhet të respektohet mendimi i një numri ndoshta edhe më të madh artistësh që janë pro ndërtimit të teatrit të ri. Më tepër sesa një krahasim emrash të përveçëm të artistëve që mbështesin njërën apo tjetrën ide, ky duhet të jetë një krahasim vizionesh, ku në fund patjetër duhet të fitojë konsensusi më i gjerë, si një rregull bazik i demokracisë.
Përpjekja për të shfrytëzuar përkatësitë politike të artistëve apo më keq akoma për t’i ndarë ata politikisht është e shëmtuar. Kjo çon në rivlerësim politik të kontributeve artistike apo në shfaqje të shëmtuara të raporteve mes tyre. Për shembull, replikat midis Guljelm Radojës dhe Robert Ndrenikës janë të dhimbshme. Apo edhe të tjera të ngjashme.
Nga ana tjetër, ngjitja ne skenën artistike e një aktori të dështuar të skenës politike është e turpshme. Asnjë artist nuk duhet të pranojë dhe të lejojë kthimin e skenës artistike si vendi nga ku vjen për ne të gjithë fjala e Shekspirit, Molierit, Pulahës apo plot autorëve të tjerë të shquar, në vendin e ligjërimeve “bulevardeske” të një aktori të dështuar politik.
E ashtuquajtura marrëveshje midis këtij aktori dhe artistëve protestues nuk përfaqëson asgjë e madje nuk bën asnjë sens. Është sikur marrëveshje të tilla të nënshkruhen me çdo komunitet, mjekë, mësues, sportistë e nuk di me kë tjetër. Mendoj se artistët nuk i ka detyruar askush të bëjnë shfaqje pa klas dhe në shërbim të një politikani me rekorde dështimi të provuara. Kjo marrëveshje vjen si një komardare e shpuar tek një i pashpresë në mes të dallgëve të krijuara prej atij vetë. Asnjë artist i vetëm, madje as një grup i vogël apo i madh qoftë, nuk duhet të marrë pozicion kaq pak cilësor e që cënon personalitetin e vet artistëve. Kështu, thjesht sa dëmton artin tonë për një motiv pa art.
Prandaj, unë nuk mund të tolerohet doza e hipokrizisë dhe patetizmit të një politikani punëpabërë, që shfaqet si hajdut kauze në mesin e artistëve protestues për një qëllim të kamufluar. Për një qëllim edhe të dëshpëruar, i cili nuk i bën nder së pari frymës së opozitarizmit të shëndetshëm demokratik e aq jetik për një shoqëri si kjo e jona. Do të kishte qënë ironi therrëse të besonim se teatrin mund ta mbrojë një politikan që nuk ka ditur kurrë të mbrojë kurrë ligjin dhe dinjitetin politik në asnjë hap të karrierës së vet. Une besoj se ndjeshmërinë e sinqertë për teatrin mund ta kenë kryesisht artistët dhe artdashësit, por jo një politikan që përpiqet të manipulojë një sensibilitet të caktuar e ta përdorë si lodren e vet të radhës, në vend të kauzave apo vizioneve të munguara.
Ndërtimi i një teatri të ri kombëtar, jo vetëm krijon kushte dinjitoze për artistët dhe artdashësit, por para së gjithash frymëzon një debat se si produkti artistik shqiptar të jetë më cilësor. Ky duhet të jetë edhe shqetësimi thelbësor që artistët ta fitojnë betejën për zhvillimin e teatrit. Sigurisht, pa ndihmën e një aktori qesharak si Lulzim Basha.
Nertil Jole